Arbëri

Mësimdhënësit e viteve të 90-ta i presin pensionet e para pas qershorit

Nga pjesa e dytë e këtij viti pritet të fillojë kompensimi shtesë për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë.

Ky kompensim u mundësohet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri më 1999, i cili është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, por që ende nuk ka filluar zbatimi i tij në praktikë.

Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish-liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Punëtorët, të cilët e kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë asaj periudhe, pritet t’i marrin benificionet pas daljes në pension. Ata do të marrin nga 19 deri në 95 euro, varësisht sa vjet kanë punuar në arsim.

Tekstin e plotë lexoni sot në Radio Evropa e Lirë;