Arbëri

Haliti thotë se nuk e njeh Hashimin, ankohet se po futet në një thes me mashtrues

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka mohuar se e njeh të dyshuarin për fajde dhe mashtrim Rrahim Hashimin.

Haliti ka thënë se ai dhe Kadri Veseli janë viktima dhe përfshirjen e tyre në këtë aferë e ka quajtur fushatë të qëllimshme për të ulur autoritetin e tyre, raporton KTV.

Haliti ka thënë se qysh në vitin 2013 e ka paditur Rrahim Hashimin, i cili në video dëgjohet se përmend emrin e tij dhe pretendon se takohet shpesh me Halitin.

Fajin për mos-hetim ia ka hedhur sistemit të drejtësisë dhe ka kërkuar llogari nga institucionet e drejtësisë për këtë çështje.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, pretendon se videot e publikuara nga Koha nuk janë të vërteta.

Personazhi kryesor në aferën e fajdeve, Rrahim Hashimi, në videot të siguruara nga Koha, pretendon se kishte pasur takime të shpeshta me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin.

Hashimi përmend emrin e Veselit dhe Halitit se do t’u kryejnë punë rreth ndërtimit të spitalit në QKUK.

KOHA: Haliti t’i drejtohet Prokurorisë

Grupi ‘Koha’ hedh poshtë insinuatat e nënkryetarit te Kuvendit, duke i konsideruar ato presion ndaj punës dhe lirisë së shtypit.

Ndër të tjera, videot të cilat Haliti pretendon se janë të falsifikuara janë pjesë e dosjes së Policisë hetuese dhe Prokurorisë, të cilët janë duke u marrë me rastin e fajdeve.