Arbëri

Thaçi e falënderon Mustafën për këshilla dhe e fton për aleancë

Foto: Koha

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj shkrimit të mbrëmshëm të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili i quajti të panevojshme sulmet ndërmjet Thaçit dhe ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha, derisa kishte theksuar se nuk e sheh Thaçin si bashkëpunëtor të Serbisë.

E ky i fundit, e ka falënderuar Mustafën për këshillat që i ka dhënë, ka thënë se, asnjë e keqe nuk i vjen vendit nga debati dhe paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme për realizimin e qëllimit të përbashkët

Ai thotë se, korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi i tij i pandalshëm, transmeton Koha.net.

“Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t'i mbyllë dyert e saj për ne”, ka shkruar ai.

Thaçi thotë se këshillat e bëjnë më të fortë në punën e tij, derisa në përpjekjet e tij, e ka ftuar të bashkohet edhe të parin e LDK-së.

“Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura. Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua”, ka shkruar Thaçi.

Ai thotë se, të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë.

“Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë”, shkruan ai.

Lexo edhe: Mustafa: Do të aplaudohesha po ta quaja Thaçin bashkëpunëtor të Vuçiqit, por s’e njoh si të tillë