Arbëri

E diela me “Koha Ditore” i kushtohet dekadës së dytë të ngritjes së aktakuzës për krime lufte

A ka arritur drejtësia ndërkombëtare t’i argumentojë krimet e shkaktuara në Kosovë? Pse UNMIK-u dhe EULEX-i kanë ngritur më shumë aktakuza ndaj shqiptarëve, sesa ndaj serbëve? Kush thotë se forcat politike në Kosovë janë fajtoret kryesore për mosdënimin e kriminelëve? Si ndodhi që një person të dënohej për rreth 2 mijë të vrarë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve e më tepër, vijnë në kryetemën e së dielës në Kohën Ditore, me titull “Politikë me krimet e luftës”.

Lexoni intervistën e javës me Fred Abrahamsin, hulumtues në organizatën “Human Rights Waatch” dhe dëshmitar në gjykimin e Millosheviqit. Si i ka përshkruar ai masakrat e kryera nga forcat serbe dhe çfarë rëndësie, sipas tij, kishte aktakuza e ngritur kundër “Kasapit të Ballkanit”?

Reportazhi, këtë javë, flet për dy banorët e Reçakut që dëshmuan në Hagë. Çfarë u sillej ndërmend atyre gjatë kohës së përballjes me Kasapin e Ballkanit?

Në rubrikën ‘Kosovarçe’ mund të lexoni për Yllkën, 13-vjeçaren nga Prishtina që nëpërmjet punimeve të saj artistike siguron paratë për blerjen e ilaçeve?

Nga Bota vijnë shkrimet për helmin e përhershëm dhe pasaportat e huaja - shtysa për blerësit e patundshmërive. Lexoni edhe fejtonin për reformat bujqësore në Shqipërinë e përafruar me Jugosllavinë. Nga Kultura vijnë rrëfimet për muzikantin e terapisë dhe pse, sipas tij, muzika llogaritet si terapi mjekësore.

Gjithashtu, për filma e libra të rinj, trendet e muzikës dhe lajmet nga teknologjia, gjeni shumëçka para se të mbërrini te faqet e sportit.

Aty vijnë rrëfimet për Bashollin, pilotin e aeroplanëve të letrës dhe për Veselin, që për 10 vjet i kërkoi sukseset e parashikuara.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në 82 faqet e numrit të së dielës në “KOHA DITORE”.