Delegacioni i BE-së bën thirrje që protesta në Shqipëri të jetë paqësore Foto: Reuters

Përfundon protesta e opozitës në Shqipëri

25 May 2019 16:51
21:31

Mbyllet pas 2 orë e 30 minutash protesta e 6-të e opozitës së bashkuar, ku u kërkua largimi i Kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se këtë betejë e nisën për Shqipërinë si gjithë Evropa.

“Evropa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Edi Ramës, Qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’i dhënë fund parlamentit të krimit, e vetmja rrugë për të hapur dyert e Evropës”, ka thënë ai.

21:12

Basha tregon pesë propozimet e opozitës

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e tij para protestuesve prezantoi 5 propozimet e opozitës, që sipas tij po diskutohen kudo.

Deklarata e Bashës:

Ndaj vëllezër dhe motra, dialogu kombëtar që do të përfshijë gjithë secilin prej jush, duhet dhe do ti japë fund jo vetëm kësaj krize por edhe tranzicionit të tejzgjatur. Propozimet tona po diskutohen kudo në Shqipëri.

1-Një parlament të fortë që merret peng vetëm nga ju, që kontrollon qeverisjen me një apo dy dhoma. Me deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt apo propocional me lista të hapura.

2-Një president me kompetenca të plotë kushtetuese, drejtësi të pavarur që nuk i mbron por i ndëshkon politikanët e lidhur me krimin.

3-Referendumi popullor si e drejtë e patjetërsueshme për të vendosur ju për çështjet që ju takojnë.

4-Financimi i partive politike për të dekriminalizuar politikën për të bërë që as partitë dhe as zgjedhjet mos jenë preja e radhës e krimit të organizuar.

5-Një paketë e fortë masash për ti dhënë fund krimit në Shqipëri për ti çuar aty ku e kanë vendin bashkë me politikanët që vodhën zgjedhjet. Rama ik!

Këto vendime do ti marrim bashkë siç i merr çdo popull i qytetëruar./Ora News/

20:11

Basha: Shqipëria si gjithë Evropa, aspirata që i ka mbledhur shqiptarët bashkë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori fjalën në protestën e opozitës duke thënë se sheshi është mbushur “me kurajo, me vendosmëri, me një mesazh të prerë dhe të vendosur: bëjeni ta dëgjojë gjithë bota”.

“Sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj në zërin tuaj, unë dhe gjithë Shqipëria, Evropa dhe gjithë bota, shpresën e një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur më kurrë. Është mbushur ky shesh me kurajo, me vendosmëri, me një mesazh të prerë dhe të vendosur: bëjeni ta dëgjojë gjithë bota.

E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! Ky është mesazhi, kjo është aspirate që i ka mbledhur shqiptarët në këtë bashkim të pashembullt për herë të 6 në këtë shesh”, tha Basha.

20:02

Protestës i bashkohen Basha dhe Kryemadhi

Mbështetësit e opozitës shqiptare janë mbledhur para objektit të Kryeministrisë në Tiranë.

Protestës i bashkohen edhe dy krerët e opozitës, Lulzim Basha i PD-së dhe Monika Kryemadhi e LSI-së.

Kryemadhi ka thënë për media se djegia e mandateve ka ndodhur për shkak të gjendjes në të cilën është katandisur Shqipëria nga qeveria e tanishme e Ramës, dhe pohoi se ishte e vetmja mundësi për të sjell ndryshme në Shqipëri.

Ajo ka pohuar se Rama duhet të ik sa më parë, sepse çdo gjë funksionon në emër të tij. Ajo ka pohuar se ne po shkojmë të Kryeministria, por Rama ka ikur nga Kryeministria dhe nuk pret të dialogojë me opozitën, e cila është mbledhur në Tiranë.

Ajo ka thënë se zgjedhjet nuk mund të mbahen, sepse me këtë gjendje, Rama do të mblidhte votat vet, do të numëronte vet, duke bërë atë që nuk ka bërë as Enver Hoxha.

Ajo ka akuzuar edhe KQZ-në se kontrollohet plotësisht nga njerëzit e Edi Ramës.

19:24

Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Mbështetësit e opozitës shqiptare kanë filluar të mblidhen në masë të madhe para objektit të Kryeministrisë.

Derisa mbështetësit e opozitës kanë mbërritur në Tiranë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha pritet t’i bashkohet protestës pas orës 19:30.

SHBA, delegacioni i BE-së dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së dhe OSBE kanë bërë thirrje që protesta të jetë paqësore dhe jo e dhunshme. Një apel është drejtuar edhe nga presidenti Meta i cili nënvizon vetëpërmbajtje.

17:35

Ambasada e SHBA-së iu bënë thirrje protestuesve të qëndrojnë larg dhunës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, pak para protestës së paralajmëruar nga opozita, u ka bërë thirrje protestuesve që të qëndrojnë larg dhunës.

Ata përmes një njoftimi kanë thënë se protestat e dhunshme janë të paligjshme dhe jo demokratike.

Ata thonë se Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligj-zbatuese, që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ata që përfshihen në akte dhune, kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë.

“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

16:51

Delegacioni i BE-së bën thirrje që protesta në Shqipëri të jetë paqësore

Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, në një deklaratë të përbashkët, duke iu referuar protestës së sotme në Shqipëri, kanë thënë se respektojnë të drejtën për të protestuar por u kanë bërë thirrje udhëheqësve të protestës, si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Po ashtu, ata kanë bërë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore”, thuhet në njoftim.

Ata kanë thënë se dënojnë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme duke u bërë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Sipas tyre, të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.

“Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme