Kosnetti kritikon Gjykatën Themelore për rastin e lirimit të Sami Lushtakut Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Kosnetti kritikon Gjykatën Themelore për rastin e lirimit të Sami Lushtakut

24 May 2019 17:31

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka reaguar pas lirimit nga akuza për korrupsion të Sami Lushtakut në rastin e njohur si KEK.

Kosnett, që njihet për qasjen kritike ndaj sistemi të drejtësisë në Kosovë, ka shkruar në rrjetin social Twitter, duke thënë se Gjykata Themelore e Prishtinës duhet të mbajë seancat dëgjimore në kohën e duhur e jo pasi të kalojë afati ligjor për gjykimin e lëndës.

“Gjykata Themelore e Prishtinës së fundmi ka liruar disa persona në rastin korruptiv të KEK-ut, duke përmendur vjetërsimin e lëndës. Gjykatat duhet t’i mbajnë seancat me kohë. Drejtësia mund të arrihet vetëm kur rastet të dëgjohen PARA vjetërsimit të lëndëve”, ka thënë Kosnetti, raporton Koha.net.

Kujtojmë se Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion për tenderin e më shumëse 6 milionë euro për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut.

Sipas aktakuzës, Korporata Energjetike ishte dëmtuar nga kjo kontratë.

Ish-kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku, Gjykata Themelore e Prishtinës të hënën e kësaj jave e ka liruar nga akuza për shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I pafajshëm për akuzën “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, është shpallur edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Të akuzuar në këtë rast ishin edhe Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Azem Duraku, Esat Tahirit dhe Milazim Lushtaku.

Prokuroria pretendonte se të të pandehurit kanë bashkëpunuar për t’i mundësuar dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”.

Kontrata prej më shumë se 6 milionë e 100 mijë euro, ishte nënshkruar për periudhën dyvjeçare.

Pronar i kompanisë që kishte fituar tenderin ishte Milazim Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut.

Në këtë rast hetimet kishin filluar në 2012-n nga prokurorë të EULEX-it, ndërkaq rasti pastaj ishte transferuar te vendorët.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme