Arbëri

Ramaj: Prokuroria e dërgoi në Ferizaj lëndën e fajdeve për ta zhvlerësuar

Gazetarja e Kohës Ditore, Saranda Ramaj, ka thënë se për video-incizimet e publikuara nga KTV-ja dhe Koha Ditore për aferën e fajdeve është në dijeni që nga viti 2017.

Ramaj në emisionin Rubikon të KTV-së ka thënë se afera ka qenë në plan të bëhej publike qysh në 2017-ën mirëpo Faton Dalladaku është ndjerë i kërcënuar dhe nuk është publikuar.

“Për me qenë reale për këto video dhe këtë aferë kam qenë në dijeni në vitin 2017, kur Rrahim Hashimi ishte përfshirë në aferën korruptive me Emin Beqirin. Prej atëherë kam marrë shumë mesazhe ndër ta ka qenë edhe Faton Dalladaku. Ka qenë në plan për t'u publikuar, por Dalladaku është ndjerë i kërcënuar dhe për këtë arsye nuk i kemi publikuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, këto video janë të realizuar disa nga viti 2011 e disa nga viti 2012.

Ajo thotë se viktimat nuk janë vetëm ata që paraqiten në video por edhe qytetarë të thjeshtë të cilëve iu janë marrë mijëra euro.

“Në fillim kam menduar që Rrahim Hashimi është mashtrues, por më vonë e kam parë që zotëri Dalladaku nuk është viktima e vetme e pretenduar. Ka qytetarë të tjerë të thjeshtë që i kanë dhënë para zotëri Hashimit”, thotë ajo.

Sipas Ramajt, edhe në Polici edhe në Prokurori të gjithë kanë qenë në dijeni për këto prova.

Ajo thotë se rasti u dërgua në Prokurorinë e Ferizajt për të u zhvlerësuar rëndësia e lëndës.

Sipas saj, disa nga njerëzit brenda hetimeve kanë thënë se është dashur të bëhet kujdes nga Lumezi dhe njerëzit e tij të afërt pasi që pretendonin që Lumezi kishte marrëdhënie të mira me Ismet Osmanin, i njohur si "Curri".

“Ne e kemi pas një artikull kur zotëri Lumezi e ka kuptuar nga mediet për lëndën. Lumëzi nuk ka qenë i njoftuar fare që do të arrestohet Osmani për shkak se prokurorët nuk i kanë besuar Lumezit. Kur Lumezi e din për një rast në Ferizaj ai patjetër që do të duhej të dinte për Ismet Osmanin për shkak se ai njihet ndër figurat më të rëndësishme në Ballkan. Disa njerëz që kanë qenë të përfshirë në hetim kanë thënë se është dashur të bëhet kujdes që Lumezi dhe disa njerëz të tij të afërt të mos e marrin vesh për rastin ndaj Osmanit për shkak se ai ka raporte të afërta me të. Kjo tregon pse tash po dalin këto incizime”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Ajo thotë se arsyeja e publikimit të tanishëm të këtyre video incizimeve është bërë për shkak të vullnetit të prokurorit të rastit.

“Për shkak se në krimet ekonomike kemi shef të ri dhe nuk është Nazim Sahiti as Shpend Maxhuni, kjo video është publikuar. Raporti për Lumezin, Maxhunin dhe Nazim Sahitin munden me u dëshmu. Duke e njohur prokurorin e rastit, unë mendoj që ky rast është zbardhur për shkak të vullnetit të prokurorit të rastit”, ka përfunduar ajo.

Rrecaj: Veseli s’ka specifikuar për çfarë vepre penale ka ngritur kallëzim penal

Image

Avokati Veton Rrecaj ka komentuar njoftimin e Kadri Veselit se ka ngritur kallëzim penal për përmendjen e emrit të tij në videot lidhur me skandalin e fajdeve.

Sipas tij, Veseli s’ka specifikuar për çfarë vepre penale ka ngritur kallëzimin penal. Ai ka thënë se nëse Veseli ka qenë në dijeni për këto vepra qysh më herët, ka qenë i detyruar të raportonte më herët.

“Veseli s’e ka specifikuar për çfarë vepre penale ka ngritur kallëzimin penal. Deklarata e tij është e përgjithësuar. Nuk specifikon ndonjë person. Nëse ai ka qenë i informuar për një vepër penale, është i detyruar që ato vepra të supozuara t’i lajmërojë në organet kompetente. Nëse Veseli e ka ditur se që 6 vjet po ndodhin këto, ka qenë i detyruar të raportojë”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Avokati Rrecaj tregon dallimin mes rastit të Veselit dhe zëvendëskancelarit austriak

Avokati Veton Rrecaj ka thënë se rasti i fundit i skandalit të fajdeve në Kosovë dhe përmendja e emrit të Kadri Veselit në videot e këtij skandali dallon nga videoja e zëvendëskancelarit austriak ditë më parë.

Teksa te rasti i Heinz-Christian Strache, shihet zëvendëskancelari duke ofruar kontrata qeveritare në këmbim vote, në rastin e fajdeve në Kosovë, Rrecaj thotë se nuk shihet Veseli vetëm se atij i përmendet emri.

“Në Austri ka prova konkrete. E deri më sot, s’kemi pa që Veseli direkt po flet apo është i involvuar në mënyrë direkte në rastin që po flasim. Nëse X personi thotë se Veseli ishte i involvuar, natyrisht se ka rrugë ligjore ku të shkojë e të raportojë këto dyshime e të vërtetohet a janë të bazuara apo jo”, ka thënë Rrecaj.

Në anën tjetër, gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se deri tash është dashur që kryeparlamentari Veseli të ishte intervistuar. Ajo ka shtuar se një nga të arrestuarit, Rrahim Hashimi, ka lidhje me strukturë të gjerë të PDK-së dhe konsiderohet profil i avancuar.

Ramaj thotë se lënda është zvarritur që të mos zbulohet implikimi i Veselit

Gazetarja e Kohës Ditore, Saranda Ramaj, ka thënë se pretendohet se rasti është zvarritur për shkak që të mos publikohet implikimi i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ajo thotë se PDK-ja ka investuar në sistemin e drejtësisë, dhe brenda këtij organi ka njerëz që funksionojnë në emër të Veselit dhe jo drejtësisë.

“Ne e dimë pse PDK-ja ka investuar në Prokurori. Rasti është zvarritur që të mos identifikohet Veseli jo për me qenë ai viktimë. PDK e këto qeveritë e kanë krijuar këtë sistem të pasigurt të sigurisë. Në organet e drejtësisë ka njerëz që funksionojnë në emër të Kadrisë dhe jo të drejtësisë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq për Faton Dalladakun ajo ka thënë se ka humbur mbi dy milionë euro.

"Janë tri vepra kryesore, fajdet, detyrimi dhe mashtrimi. Dalladaku i ka humbur dy shtëpi, aksionet e spitalit, qindra mijëra euro, veturë, dhe parcela, e të gjitha kapin vlerën mbi dy milionë euro. Pretendohet se është një rrjet shumë i komplikuar. Sipas prokurorit, Dalladaku ka paguar për "Currin" 25 mijë euro kamatë mujore”, ka shtuar ajo.

“Në organet  e drejtësisë ka njerëz shumë të mirë, por ata duhet të dalin në pah kur hiqen këta njerëz që i raportojnë politikanëve. Unë besoj që atëherë do të dalin shumë video të tilla”, ka thënë ajo.