Arbëri

Në Qeveri përmendet rritja e pagave kur vendi pritet të shkojë në zgjedhje

Në kohën kur janë përmendur zgjedhjet e parakohshme për muajt në vazhdim, Qeveria e Kosovës ka kërkuar që t’u rriten pagat shërbyesve civilë.

Në mbledhjen e Qeverisë, propozimin për këtë e ka bërë vetë kryeministri Isa Mustafa, derisa ai është miratuar nga kabineti qeveritar, raporton KTV.

Në këtë mbledhje janë miratuar disa projektligje, përfshirë atë për tatimin në Pronën e Paluajtshme. Me këtë projektligj bëhet forcimi i tatimit në pronë, ka thënë ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Por, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka propozuar që tatimi në pronë për ata që punojnë tokën, të hiqet krejtësisht.

Projektligji është dërguar në Kuvend me këtë propozim të ministrit Krasniqi.

Gjithashtu, është miratuar ndryshimi i Ligjit për Presidentin, ku është shtuar një nen që barazon ish-presidentët me zyrtarët tjerë më të lartë të shtetit.

Qeveria nuk ka diskutuar fare për mundësinë e riprocedimit të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.