Arbëri

O’Connell: Si mund t’i them një investitori britanik se Emin Beqiri do t’ju ruajë?

Foto: Alban Bujari / Koha

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, iu është përgjigjur pyetjeve e komenteve në faqen e tij në Facebook.

Pyetjet kishin të bënin kryesisht me futboll, mirëpo Ambasadori ishte i vendosur që t’u japë përgjigje kryesisht pyetjeve me theks politikën.

Në një pyetje të një komentuesi rreth kapjes së shtetit, i cili kërkon ndërhyrjen e Britanisë në këtë aspekt, Ambasadori O’Connell thotë se s’ka shpresë që të ndodhë një gjë e tillë sepse Kosova është shtet i pavarur.

“Jo, mos keni shpresë hiç, asnjë pikë shprese, për ndërhyrje ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur. Nuk ka rast në botë që janë rregulluar problemet e një vendi, të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur të huajt me ardhë. Askush nuk ka me ta ndreqë shtëpinë, duhesh me bo vetë. Bone vetë. Por, ne do të vazhdojmë të kërkojmë përmirësime, sepse krimi i organizuar në Kosovë na dëmton neve dhe nuk e pranojmë më. Dhe nëse ka vullnet politik për të ndryshuar sendet, qoftë nga qeveria qoftë nga një qeveri tjetër, ne do të jemi pranë politikanëve që me të vërtetë dëshirojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin”, ka thënë O’Connell në një prej përgjigjeve, raporton Koha.net.

Komentuesit kërkuan nga Britania e Madhe të ndërmarrë të njëjtin vendim sikurse SHBA-ja, e cila ka thënë se asnjë zyrtar i korruptuar nuk do të mundë të udhëtojë në SHBA.

E O'Connell tha se as në Britani nuk do të mund të hyjë asnjë person që ka të kaluar kriminale.

“Cilido që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsion, nuk do të mund të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar”, shkroi ai.

Komentuesit sërish kërkuan opinion nga Ambasadori Britanik në lidhje me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ndërkaq ai përmendi rastin e Emin Beqirit si një prej të shumtëve që kanë ndodhur e që sipas tij, mos-dënimi i të dyshuarve për korrupsion është problem i madh.

“Mendoj që ky është vërtetë një problem. Rasti i Emin Beqirit më vjen në mendje. Ai ishte incizuar duke u përfshirë në gjëra të këqija. Ai u shpall i fajshëm nga Gjykata Themelore, dhe është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, përderisa Gjykata Supreme e sheh si jo të ligjshme, por sipas standardeve të të drejtave të njeriut, që janë të rëndësishme që në përgjithësi, Beqiri nuk vuajti asnjë dënim. Dhe pastaj transferohet dhe nuk largohet nga puna nga ana e policisë. Ai është shef i policisë në Ferizaj. Unë kam investitorë britanikë të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulem unë në takim me ta dhe të ju them ‘Mos u brengosni sepse policia në Ferizaj do t’ju ruajë’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: kapje e shtetit”, ka thënë Ambasadori O’Connell.

Ai potencoi se është qenësore që ndryshimet të ndodhin, ndërsa shtoi se Ambasada Britanike është duke punuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe tha se është me rëndësi të thuhen dy gjëra.

“Kosova ka nevojë për asistencë që të sigurohet integriteti i gjykatësve dhe prokurorëve që këto mos të ndodhin në të ardhmen. Por edhe këta gjykatës dhe prokurorë të cilët nuk pajtohen me atë që ndodhë, të tregojnë trimëri. Kemi parë disa arrestime javën e kaluar dhe është me rëndësi jetësore që i gjithë sistemi të dijë se ne jemi duke vëzhguar dhe bashkësia ndërkombëtare është duke vëzhguar. Ne dëshirojmë të shohim rezultate dhe prokurorët sikur z.Hamiti që kanë treguar guxim do kenë gjithmonë përkrahjen tonë”, deklaroi Ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.

“Koha Ditore” ka raportuar disa herë për rastin e ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike, Emin Beqiri, i cili është liruar jashtëligjshëm nga akuzat për korrupsion. Pasi Beqirin e kanë liruar nga akuzat gjykata e apelit, Përderisa gjykata themelore e kishe refuzuar kërkesën e Emin Beqirit për hudhje të aktakuzës. Gjykata e apelit e kishe ndryshuar këtë vendim dhe kishte nxjerr aktgjykim që Beqiri të lirohej nga akuzat për korrupsion. Gjykata Supreme ka konsideruar që kolegji i gjyqtarëve të Apelit kanë vendosur jashtëligjshëm në favor të të pandehurit.