Arbëri

VV e PSD reagojnë pas pamjeve me fajde ku përmendet Veseli – Shteti i kapur nga “Pronto”

Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD-ja kanë reaguar për raportimet e KTV-së dhe Kohës Ditore për mos veprimin gjashtë vjeçar të Prokurorisë në përfshirjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli në një rast të fajdeve, ku dyshohet se ai kishte marrë rreth 200 mijë euro.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka shkruar se shteti i kapur ndryshe nuk është, transmeton Koha.net.

“Sipas medieve thuhet se Prokuroria që nga viti 2013 i ka pasur në dispozicion videot e transmetuara këto ditë në KTV. Si është e mundur që asnjëherë nuk e kanë intervistuar Kadri Veselin të paktën si dëshmitar nëse jo si të dyshuar?! Pra janë në pyetje 6 vite mosveprim të prokurorisë! Shteti i kapur ndryshe nuk është”, ka shkruar Haxhiu.

Hetuesia nuk e merr në pyetje Veselin, edhe pse të dyshuarit për fajde marrin para në emër të tij

Ajo ka kërkuar që të ketë, “mobilizim, angazhim, qytetari aktive deri në largimin e tyre nga pushteti”.

E nga radhët e PSD-së ka reaguar deputeti Dardan Molliqaj.

“Tash u kuptua se videoja që po qarkullon nëpër media ku thuhet qartë se Kadri Veseli i ka marrë 200 000 euro nga një biznesmen, ka gjashtë vite që sillet nëpër sirtarët e institucioneve tona të drejtësisë. Përkundër kësaj, Kadri Veseli lëre më që nuk është gjykuar apo dënuar, por ai nuk është ftuar as edhe njëherë në gjykatë për t’u intervestuar lidhur me këtë rast”, ka shkruar Molliqaj.

Video e ndërmjetësuesit Rexhepi që thotë se Kadri Veseli i ka marrë 200 mijë euro

Sipas tij, “kjo dëshmon atë që e themi tash e shumë vite me radhë; sistemi i drejtësisë në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të mbetet i kapur nga klani Pronto”.

Molliqaj shton se Kosovës i duhet urgjentisht vetingu në sistemin e drejtësisë.

“Vetëm në këtë mënyrë mund t’i sjellim para drejtësisë të gjithë ata që janë të përfshirë në afera kriminale dhe korruptive në vend”, ka shkruar ai.