O’Connell në Vushtrri dëgjon rrëfimet për Masakrën, motiv për të kërkuar drejtësi

Arbnora Luta Arbnora Luta 22 May 2019 19:28

Me shumë vëmendje, ambasadori britanik Ruari O’Conell po e dëgjon Avni Melenicën, njërin nga të mbijetuarit e masakrës së 22 majit në Vushtrri.

Teksa po ecin bashkë rrugës ku forcat serbe para 20 vjetëve, banorët e këtij qyteti i kishin larguar me dhunë nga shtëpitë e tyre, Melenica po i rrëfen ambasadorit tmerrin e asaj dite, raporton KTV.

Bashkë edhe me familjarë tjerë të viktimave, po ndalen te rruga që mban emrin në nderim të tyre.

Kujtimet e 22 majit të 1999-s, rikthehen kur e shohin shtëpinë në të cilën burra, gra e fëmijë ishin masakruar.

Kjo ditë kishte qenë e kobshme për motrat Shatrolli, të cilat mbetën pa vëlla.

Dhimbja dhe malli për dy fëmijët e tij e kanë rënduar më shumë se mosha, 77-vjeçarin Hasan Shkreli.

Vajzën 18-vjeçare dhe djalin 15-vjeçar, serbët ia morën nga duart, e 20 vjet pas, trupi i 18-vjeçares ende nuk është gjetur.

Ambasadori britanik u tha familjarëve se lufta nuk duhet harruar, derisa i porositi se

pajtimi fillon duke treguar dhe dëgjuar të vërtetën.

Më 22 maj të vitit 1999, në Vushtrri, 68 shqiptarë, pasi u dëbuan nga shtëpitë e tyre, u pushkatuan nga forcat serbe.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme