VV: Edhe sot mungon vëmendja institucionale për masakrën në burgun e Dubravës Foto: Alban Bujari/Koha Ditore

VV: Edhe sot mungon vëmendja institucionale për masakrën në burgun e Dubravës

22 May 2019 14:39

Sot, kur po shënohet 20 vjetori i Masakrës së Dubravës, një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i prirë nga kryetari Albin Kurti, deputetë dhe ish të burgosur politik vizituan hapësirat e burgut, ku bënë homazhe në nderim të burgosurve të vrarë nga forcat paramilitare serbe.

“20 vite më parë, në hapësirat e burgut të Dubravës, nën organizimin shtetëror të Serbisë, u vranë 160 të burgosur politikë shqiptarë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, në njërën prej masakrave më të tmerrshme të luftës së fundit. Nga data 19 maj, deri më 24 maj, të burgosurit shqiptarë që ishin sjellë aty nga të gjitha burgjet e Kosovës, dhe po përjetonin ditët më të rënda të tyre duke u përballur me një forcë që ishte mposhtur tashmë dhe që po hakmerrej mbi ta duke i masakruar. Në ato ditë plot me tortura, dhunime e vrasje pati të burgosur që arritën të shpëtonin dhe të arratiseshin përmes, siç shpjegojnë edhe vetë ata, përpjekjeve gati mbinjerëzore”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Image

Në kumtesë gjithashtu thuhet se pavarësisht që është bërë kallëzim penal, institucionet e Kosovës nuk janë marrë më me këtë çështje.

“Sot shënohet 20 vjetori i kësaj masakre dhe kujtojmë që përmes fakteve dhe dëshmive të ndryshme është bërë edhe një kallëzim penal nga shoqata e të burgosurve politik të Kosovës - por vetëm kaq. Ende, edhe sot, mungon vëmendja institucionale për këtë ngjarje, e mungojnë edhe aktakuzat për kriminelët të cilët në emër dhe mbiemër dihet se kush janë”, thuhet në kumtesë.

Tutje, theksohet se vënia e drejtësisë për këtë masakër, si dhe për masakrat tjera të kryera nga shteti serb në Kosovë, nuk duhet të ngecë.

“Është tejet shqetësuese dhe e pafalshme kjo vonesë e jona shtetërore në dënimin e krimeve të kryera nga Serbia. Duhet të ndërmarrim hapa konkretë si përmes ligjeve ashtu edhe përmes riaktivizimit të Institutit për Krime të Luftës, dhe t’i dënojmë këto krime, dhe kriminelët që u organizuan në ballë të tyre. Nuk guxojmë të ngecim edhe më tej në këtë detyrë”, përfundon kumtesa.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme