“Me reforma në Administratë, arrihen standardet dhe praktikat më të mira të BE-së”

“Me reforma në Administratë, arrihen standardet dhe praktikat më të mira të BE-së”

22 May 2019 14:13

Në mbledhjen e Grupit të Veçantë për Reformën e Administratës Publike, në takimin e 9-të, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj theksoi se takimi duhet kuptuar si konfirmim i përkushtimit ndaj Reformës së Administratës Publike, si njëra ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës.

“Pa reformë të mirëfilltë të administratës publike, është e pamundur të arrihen standarde e praktika më të mira të BE-së në këtë drejtim. Prandaj, përkushtimi institucional për krijimin e një administrate publike efiçiente dhe efektive për institucionet e Kosovës duhet të jetë e para ndër të parat”, potencoi Çelaj.

Procesi i Integrimit Evropian në Kosovë është i shtrirë në 3 dokumente strategjike kryesore, Programi Kombëtar për Zbatimin MSA-së (PKZMSA) 2019-2023, Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) 2019-2020 (ende draft) dhe Programi për Reforma Ekonomike 2019-2021.

“Zbatimi sa më i mirë i politikave dhe legjislacionit që prek Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimit të Financave Publike do të kontribuojë në arritjen e caqeve të parapara në procesin integrues”, ka thënë Çelaj, ndërsa ka inkurajuar institucionet të mos shkaktojnë vonesa, sepse, siç theksoi ai, çdo vonesë mund t’i kushtojë Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se procesi i reformës së administratës publike është një prioritet themelor për qeverinë, derisa theksoi se viti 2018 shënon arritje shumë të rëndësishme për agjendën e reformës së administratës publike në Kosovë.

Ai tha se Qeveria ka miratuar një plan të ri veprimi për periudhën 2018-2020 për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020, sipas tij plani i ri i veprimit bazohet në një buxhet realist që pothuajse është plotësisht i mbuluar nga programet ekzistuese të qeverisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme