Vuçiq përqesh Quintin, thotë “nuk kam lexuar gjë më të marrë në jetën time”

Vuçiq përqesh Quintin, thotë “nuk kam lexuar gjë më të marrë në jetën time”

21 May 2019 15:08

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është shprehur i habitur nga deklarata e vendeve të Quintit pas zgjedhjeve për kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

Ai shtoi se nga ky njoftim mund të konkludohet se disa janë të pakënaqur që zgjedhjet kanë kaluar në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

"Unë dua t'i përgëzoj për shpikjen e tyre. Unë nuk kam lexuar ndonjë gjë më të marrë në jetën time", tha Vuçiq.

Ai komentoi mbi një deklaratë të përbashkët nga vendet e Quintit - ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët thanë se procesi zgjedhor në katër komunat në veri kaloi në atmosferë të qetë, por gjithashtu kujtuan se ka ende çështje të pazgjidhura, të cilat kanë ndjekur procesin zgjedhor të vitit 2017.

"Çfarë kuptimi ka kjo", tha Vuçiq, transmeton KosovaPress.

Ndryshe, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, dolën dje me një komunikatë të përbashkët në lidhje me zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës.

Ambasadat e shteteve të Quintit rikujtojnë gjetjet e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) të vitit 2017, që shprehën shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Serbe.

“Këto defekte, si dhe kërkesat për të përditësuar listat e votuesve dhe për të qartësuar procedurat, mbeten të pa adresuara dhe kanë si rezultat konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kufizuar politike, prandaj ngritin pyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit e këtyre ambasadave apelojnë të gjithë akterët relevantë, përfshirë institucionet dhe partitë politike përgjatë gjithë spektrit, që të adresojnë urgjentisht këto defekte duke zbatuar rekomandimet e EOM-it.

“Inkurajojmë qytetarët dhe shoqërinë civile që t’i mbajnë partitë përgjegjëse për përkushtimin që partitë kanë shprehur përmes deklaratës së përbashkët në Kuvendin e Kosovës në prill të vitit 2019 për forcimin e procesit zgjedhor. Ata që janë zgjedhur tani duhet të angazhohen për të përfaqësuar interesat e gjitha bashkësive në komunat e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Quintit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme