Arbëri

PDK akuzon VV-në se bashkë me LDK-në bënë tregtim votash me Listën Serbe

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një njoftimi për media, fton qytetarët e komunave veriore që në këta minuta që kanë mbet të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Deri më tani ne jemi të kënaqur me pjesëmarrjen në votime, por kërkojmë që ajo të rritet sepse është e rëndësisë jetike për shqiptaret e kësaj komune”, thuhet në njoftimin për media të PDK-së.

Përmes njoftimit, PDK-ja thotë se dëshiron që të shprehë disa shqetësime sa i përket sjelljes së partive tjera politike. Gonxhe Çaushi, kandidate për kryetare në Mitroviën e Veriut, ka thënë se “kemi informacione nga terreni për përpjekje për të blerë vota te cilat do të dorëzojmë tek organet gjegjës”.

“Po ashtu kemi marrë informacione ende te pakonfirmuara, tejet shqetësuese se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në disa qendra të votimit është duke tentuar të manipulojë procesin e votimit, përmes rritjes së votave të Listës Serbe, si pjesëmarrje, e që i duhet si formë demonstrimi Serbisë, gjersa në kundër-shpërblim, marrjen e disa votave për VV-në që të paraqiten si më të votuarit”, ka cekur Çaushi, përcjell PDK-ja.

“Pra, po flasim për një ‘tregtim votash’ me Listën Serbe dhe LVV-në dhe LDK-në. Këto shqetësime i kemi marrë nga Lagja e Boshnjakëve por edhe disa lagje të tjera ku ka numër të madh të votuesve, për çka pas konfirmimit te informacionit, edhe do të japim detaje më vonë”, është shprehur Çaushi.