OJQ-të përkrahin mosdhënien e vizave amerikane për zyrtarët e korruptuar

K.Kadriu/R.Hamza 18 May 2019 19:09

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, këtë të martë, ka publikuar një fotografi nga pjesëmarrja në konferencën “Smart Cities”, që është mbajtur në New York.

Kjo mund të mbetet vizita e tij e fundit në SHBA, pasi dy ditë më vonë, ambasada e këtij shteti në Kosovë, paralajmëroi se nuk do të lëshojë viza për të përfshirët në disa prej rasteve më të mëdha të korrupsionit, raporton KTV.

Ministri Beqaj që vjen nga radhët e PDK-së, është ndër të të akuzuarit në rastin e njohur si “Pronto”, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet dhe mesazhet e KTV-së për të marrë një koment për këtë çështje.

Përveç rastit “Pronto” ndër rastet që janë përmendur nga Ambasada amerikane janë edhe rastet si: “Toka”, “Vizat italiane”, “Ikja nga burgu i Dubravës” dhe rasti “Apex”.

Veprimin, ambasada e ka ndërmarrë teksa ka shprehur shqetësimin se askush, përfshirë zyrtarë të Kosovës, nuk janë duke dhënë përgjegjësi për korrupsionin dhe krimin e organizuar, që sipas ambasadës janë qartë prezente në këto raste.

Një reagim i tillë, është mirëpritur nga 8 organizata të shoqërisë civile që nëpërmjet një komunikate, kanë theksuar mosndëshkueshmërinë, aktgjykimet liruese dhe dënimet e ulëta që po e karakterizojnë drejtësinë përballë njerëzve të politikës.

Por analisti Krenar Shala, e sheh të pamundur që Qeveria aktuale, të japë shenja reflektimi përballë mesazheve të tilla.

Një numër zyrtarësh të lartë të shtetit, viteve të fundit janë përballuar me aktakuza, por asnjëri nga ta nuk ka përfunduar në vuajte të dënimit me burg.

Proceset gjyqësore, ose janë zvarritur dhe mbesin me vite në pritje të një vendimi, ose kanë përfunduar me aktgjykime liruese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Kemi20/05/2019 13:52

Ide e mirë qenka por së pari duhet me ua marr Pasaportat Diplomatike dhe Pasaportat e huaja.

Shto koment

Të ngjashme