Tahiri: Në Kuvend ka shumë njerëz që duhet të japin dorëheqje para Flora Brovinës

Tahiri: S’ka rrezik nga të kthyerit nga Siria

18 May 2019 00:14
00:19

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se shteti i Kosovës synon që t’i kthejë të gjithë qytetarët e Kosovës nga zonat e luftës në Siri e Irak.

Në Interaktiv të KTV-së, Tahiri ka treguar për aksionin e kthimit të 110 qytetarëve të Kosovës nga Siria në muajin prill.

“Ka qenë fundi i shtatorit 2018 kur kryeministri më ka mandatuar të koordinoj operacionin për kthimin e shqiptarëve nga Siria. Numri i qytetarëve tanë në ato zona ka rënë shumë. Së fundi e pamë që pat edhe një viktimë që ishte pjesë e një organizate terroriste. Të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga kjo luftë. Viktimat duhet të rehabilitohen e kriminelët të gjykohen. Përderisa kemi ende njerëz atje, emri i Kosovës do të jetë pjesë e mediumeve ndërkombëtare, për fat të keq për të keq. Fëmijët që i kemi kthyer nuk kanë pasur të ardhme atje. Ose do të bëheshin pjesë e grupeve terroriste, ose viktima, ose do të trafikoheshim. Nuk mund të rrinim indiferentë ndaj fëmijëve tanë, që janë atje pa vullnetin e tyre. Ata janë viktima. Aksioni ka zgjatur rreth 6 muaj me mbështetjen e SHBA-së. 9 prej fëmijëve janë jetimë, pa të dy prindërit. Për një pjesë të tyre shteti ka siguruar strehim. Pjesa e madhe janë në familjet e tyre, ndërsa një pjesë e grave të dyshuar janë në arrest shtëpiak, kurse për ata që kemi prova, janë në burg”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se rreziku nga të kthyerit është analizuar mirë nga AKI-ja, duke thënë se Kosova ka evituar rreziqe shumë më të mëdha sesa të kthyerit nga Siria.

“Kemi bërë një analizë të qartë dhe jam shumë i lumtur që kemi një AKI që në fushën e ndjekjes së terrorizmit është jashtëzakonisht shumë e përgatitur. Ajo analizë është prezantuar tek institucionet dhe ne e kemi të qartë profilin e të gjithëve dhe them se Kosova ka evituar rreziqe shumë më të mëdha. Mendoj që kemi pasur edhe abuzues, për përfitime materiale. Fitim Lladrovci është në arrest. Disa prej tyre kanë shitur intervistat e tyre për mediumet e huaja, në mesin e tyre besoj që është edhe Lladrovci”, tha më tej ministri i Drejtësisë.

Ai tha se ka ende fëmijë në zonat e luftës, por jo edhe në zonën prej nga janë kthyer grupi i parë. Të mbetur në zonat e luftës, sipas Tahirit, janë në kufi me shtetin turk.

“Nuk do të jetë e lehtë t’i nxjerrim nga këto zona. Do të përpiqemi, qofshin ata viktima qofshin terroristë. Nuk lejojmë që qytetarët tanë të jenë kërcënim për botën”, u shpreh Tahiri.

Tha se për aksionin e kthimit të qytetarëve të Kosovës nga zonat e luftës në Siri i kanë informuar edhe shtetet e Quintit.

Tahiri tha se Kadri Veseli është kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së si dhe do të jetë i mandatuar për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

00:14

Tahiri: Në Kuvend ka shumë njerëz që duhet të japin dorëheqje para Flora Brovinës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka folur për foto-skandalin e prezantuar nga deputetja Flora Brovina, gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se Brovina ia ka kushtuar jetën kauzës kombëtare dhe çlirimit ani pse veprimin e saj e quan të dëmshëm për vendin.

E kur flitet për dorëheqjen e saj, Tahiri thotë se në Parlament ka shumë njerëz të cilët do të duhej të jepnin dorëheqje para deputetes Brovina.

“Ne duhet ta kemi të qartë se për çfarë personi po flasim, po flasim për një njeri që tërë jetën ja ka kushtuar vendit, dhe jo për dikë që krejt rastësisht i bie një dokument në dorë dhe e prezanton. Unë nuk jam këtu ta mbrojë askënd dhe duke e ditë kontributin e saj nuk duhet të zgjatet më shumë ky debat. Ka shumë më shumë njerëz në Parlament që do të duhej të jepnin dorëheqje dhe Brovina është njeri i fundit që duhet të jap dorëheqje”, ka thënë ai.

Sipas tij, është skandaloze se si kjo foto e prezantuar nga Brovina në vitin 2012 nuk e mori vëmendjen siç e mori tash, pavarësisht asaj që fotografia është e falsifikuar.

“Ka pas fakte që Brovina nuk ka folur për herë të parë pasi që ka besuar që një fotografi e tillë është e vërtetë e pastaj sqaroi se nga e ka marrë fotografinë. Ajo ka qenë e bindur në vërtetësinë e atij dokumenti duke dashur ta paraqesë tmerrin që kanë përjetuar gratë shqiptare. Në vitin 2012 askush nuk është marrë me atë çështje dhe kjo është skandal për gjithë shoqërinë”, ka shtuar ai.

Lidhur me mohimin e aktivistes Mevlyde Saraçi se ajo ia ka dorëzuar fotografinë, ai tha se askush nuk do të marr përgjegjësinë për atë se çka ka ndodhë dje.

Ai tutje ka shtuar se as pas publikimit të fotografisë, Serbia nuk mund ta pengoj agjendën e Kosovës për të dëshmuar krimet e luftës.

“Ne kemi arritur me i bë të ditura krimet që Serbia i ka bërë, dhe kjo nuk mund ta dëmtojë këtë agjendë. Unë vet kam pas dyshime se një dokument të tillë e ka pas shumë më herët, por sot doli me fakte që vërtet një gjë e tillë ka ndodhë. Personi që ja ka dhënë letrën i ka thënë se ngjarja ka ndodhur në këtë vend. Ajo nuk ka bërë mirë që nuk e ka dorëzuar në Prokurori”,ka shtuar ai.

Lidhur me atë se a e ka ditur PDK-ja për publikimin e fotografisë, ai ka thënë se askush nuk e raporton në parti secilin veprim.

“Atë ditë ka qenë seanca dhe të gjithë jemi përgatitur për të paraqitur fakte për krimet. Unë mendoj që provat që i ka paraqitë janë mjaft të qarta dhe duhet të dimë se nuk mund të raportojmë në parti për secilin veprim që e ndërmarrim”, ka thënë ai.

Tahiri thotë se PDK-ja më së paku deshi që një gjë e tillë të ndodhte, pasi që ishte kryetari i kësaj partie që sponsorizoi krijimin e Tribunalit.

Lidhur me formimin e Tribunalit, ai ka thënë se ka mundur të bëhet më herët mirëpo sipas tij është iniciativë e mirë që po bëhet edhe tash.

“Janë më shumë se 900 lëndë që duhet t’u jepet një drejtim. Është shumë e rëndësishme që gjykatat tona t’i dënojnë në mungesë personat që kanë kryer krime, siç arritëm sot të ekstradojmë një person i dyshuar për krime lufte”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se është mirë që ky Tribunal të jetë ndërkombëtarë derisa ka deklaruar se nuk mund të kërkojnë përkrahje ndërkombëtare pa krijuar një pasqyrë të qartë se si do të ecët përpara.

Lidhur me Gjykatën Speciale, ai ka theksuar se ka qenë i padrejtë formimi i saj dhe sipas tij sado që të funksionoj ajo do të ketë vetëm lajme të këqija për Kosovën.

Tahiri ka folur për me mbylljen e Institutit për Hulumtimin për Krimet e Luftës në Kosovë derisa ka thënë se një i tillë nuk ka qenë konform ligjeve.

Ai thotë se instituti ka bërë punë të mirë mirëpo ato të dhëna që kanë mbledhur janë të mangëta.

“Nuk ka qenë një institut që ka qenë konform asaj që duhet të jetë me ligj. Nëse duam të bëjmë institut duhet të bëhet konfrom ligjeve. Ky institut e ka pas mandatin për mbledhjen e provave, dhe unë një prej çështjeve të para kam kërkuar numrin e saktë i të vrarëve në Kosovë dhe si shtet ende nuk e kemi një numër të saktë. Ata nuk e kanë pasur një të dhënë të tillë dhe për mua ka qenë shokuese. Lidhur me masakra të mëdha që kanë ndodhë në Kosovë, asnjë shkronjë e vetme nuk është”, ka shtuar ai.

“Tash është një departament i ri, dhe brenda javës së ardhshme do të dalin konkurset e reja që do të punësohen me kontrata të përhershme. Prej 16 pikave që është dashur t’i përmbushte ky institut, vetëm dy prej tyre janë përmbushur”, ka thënë ai.
 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Hasani21/05/2019 15:35

Ne cfare planeti jeton ky fare ministri? Si nuk ka rrezik nga ata te cileve ju jane shperlare trute me dogma mesjetare! Ata duhe percjelle shume per se afermi pasi qe te kthehen! Bota e civilizuar i burgos!

Shto koment

Të ngjashme