Sipas Thaçit, ka mesazhe që taksa rrezikon të kushtëzojë procesin e liberalizimit

Thaçi thotë se Sami Kurteshi ishte në SHIK, pranon se e bëri Avokat të Popullit

16 May 2019 20:02
21:42

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, i kishte thënë kohë më parë se ka qenë pjesë e SHIK-ut.

“E kam lutur që të vijë në PDK, më ka thënë jo, jam diku tjetër, e përmendi SHIK-un, tha nuk bën me ditë kurrkush çka bëj unë, thash okej, ti e din, grahi”, ka deklaruar Thaçi.

Në Rubikon të KTV-së, duke folur për përplasjen e tij me Kurteshin në Komisionin Hetimor për dëbimin e shtetasve turq, Thaçi ka deklaruar se “të dua” Kurteshit i kishte thënë me cinizëm e humor.

Thaçi më tej ka thënë se Kurteshi e kishte lutur të bëhej Avokat i Popullit dhe ka treguar se ka mbështetur, e se për Kurteshin ka pasur lobime edhe nga njerëz të tjerë.

21:19

Thaçi: Tash e tri dekada Sali Berisha argat i Sllobodan Millosheviqit

Hashim Thaçi në vazhdën e polemikës me ish kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha në Rubikon të KTV-së tha se është po i njëjti person i cili në kohën e luftës ka qenë argat i Sllobodan Millosheviqit.

“Ndjej keqardhje për pozicionin që ka marrë z. Sali Ramë Berisha”.

“E ftoj në çdo studio që ai dëshiron, do të del i lagur nga emisioni, kemi pasur marrëdhënie të mira gjatë kohës kur isha kryeministër, ia kam shtrirë dorën, më kanë thënë edhe që nuk është dashur t’ia shtrijë dorën, presidenti Ibrahim Rugova nuk ia shtriu dorën për tetë vite radhazi. Tash e shoh vetëm si një fosil asgjë më tepër”.

“Atë që e ka filluar në vitet 90 e vazhdon edhe zanatin vetë”, ka thënë Thaçi.

21:08

Kushti i Thaçit për të kandiduar për president

Nëse nuk ndryshon ligji i reformës zgjedhore në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, nuk do të kandidojë edhe për një mandat tjetër.

“Nuk lejoj që të jem pjesë e diskutimeve dhe zgjedhjes së koloareve politike të Prishtinës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se ka besim të plotë që me zgjedhje të drejtpërdrejta do të fitonte përsëri postin e presidentit.

“Vetëm me legjitimitet të plotë qytetar”, tha ai.

20:51

Thaçi: Ndërpreva në gjysmë takimin e PAN-it kur kuptova se Radojçiqi ishte aty

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se koalicionit PAN ia kishte sjellë në zyrë Milan Radojçiqin, të dyshuar për kontrollim të nëntokës në veri të Kosovës.

Ka thënë se gjatë përgatitjeve për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, krerët e PAN-it e kishin sjellë Radojçiqin në zyrë për të marrë votat e serbëve. Thaçi në Rubikon të KTV-së ka thënë se ka ndërprerë në gjysmë këtë takim.

“Duke u përgatitur për seancën e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi duke dashur të sjellim votat e serbëve, partnerët e koalicionit, pa e njohur fare ma kanë sjellë Radojçiqin në zyrë. Në gjysmë e kam hetuar që është aty dhe e kam ndërprerë takimin. Theksova ishin të gjithë liderët. E kam ndërprerë takimin sepse s’doja të vazhdoja një takim me të. Ai ka probleme me ligjin, ishte njeri që udhëhoqi botën e nëntokës në veri. Kërcënoi një skenë politike atje, dhe sipas të dhënave nga institucionet e vendit, ndërlidhen ai dhe bartësit në Serbi me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Vendi i tij është ballafaqimi me drejtësinë, e jo vizitat e tij në institucionet tona apo shtëpitë tona private”, ka thënë Thaçi.

20:34

Thaçi flet për takimin sekret në shtëpinë e Radojçiqit, ku aludon të ketë qenë edhe Haradinaj

Shtëpia e Milan Radojçiqit u bë vendi sekret ku, sipas presidentit Hashim Thaçi, u morën vendime jo të mira për vendin.

Thaçi mysafirit të Radojiciqit vazhdimisht iu referua si një ndër krerët institucional, duke përjashtuar mundësinë se ishte ai ose Kadri Veseli dhe rrjedhimisht duke lënë opsionin e vetëm – kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ndonëse hezitoi ta përmend emrin, Thaçi tha se kjo u bë vetëm që të fitohet një garancë e stabilitetit politik.

“Ajo ka qenë një rrezik shumë i madh për Kosovën, për copëzimin e Kosovës, bartjen e pasurive te autoritetet lokale në kontroll të plotë te Milan Radojicqi për të përfituar një garancë të stabilitetit politik, gjë që ka qenë shumë e rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe krijimin e realiteteve të hidhura dhe ndarëse për Kosovën”, ka deklaruar Thaçi.

20:30

Thaçi: Vendimet e Qeverisë rrezikuan ndarjen e Kosovës

Vendimet e qeverisë me të cilën udhëheq Ramush Haradinaj, sipas presidentit të Kosovës, Hashim Thaëi, e rrezikojnë ndarjen e Kosovës.

Duke folur për qëndrimin e kryeministrit Haradinaj lidhur me idenë e korrigjimit të kufijve, Thaçi tha se ishte vendimi i qeverisë Haradinaj që rrezikoi ndarjen duke “i përgatitur terrenin” Milan Radojçiqit për dhënien e Trepçës veriut, Gazivodës dhe pasurive të tjera.

“Kushdo qe flet, ato thjesht janë gjëra qesharake, unë kom dal shumë qartë në pozicionin tim që mos t’i përgatitet terreni Milan Radojçiqit për dhënien e Trepçës veriut, Gazivodës dhe të pasurive shtetërore që t’i barten autoriteteve lokale, që në fakt ishte dhuratë për Milan Radojçiqin, por ishte fat që kishte ballafaqim me drejtësinë”, ka deklaruar Thaçi në Rubikon të KTV-së.

20:25

Thaçi flet për “dhuratat e Rankoviqit”

Presidenti Thaçi bëri të ditur se idenë e tij për korrigjimin e kufijve, respektivisht përfshirjen e Luginës në territorin e Kosovës, e ka përmendur në Berlin dhe do vazhdoj ta bëjë edhe në Paris.

Thaçi theksoi se komunat me shumicë serbe, Leoposviq, Zubin Potok dhe Zvecan nuk i konsideron si dhurata të Rankoviqit.

“Në Samitin e Berlinit as nuk është hapur ndonjë ide e as nuk është mbyllur diçka që është diskutuar më parë”, ka deklaruar ai në Rubikon të KTV-së.

“Tek unë nuk mund të gjej askush njeriun që dialogun për territorin e Kosovës. Për Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, po, për të tjerat, jo. As për ndarje të Kosovës, as për shkëmbim, jo se jo, as për sovranitet dhe as për asociacion”.

20:17

Thaçi pret ide kreative dhe koordinim më të mirë të Merkelit dhe Macronit në Samitin e Parisit

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se pret që nga Samiti i Parisit pret ide më kreative dhe organizim më të mirë se sa ai në Berlin.

Ai theksoi se pret edhe koordinim më të mirë në mes kacelares Merkel dhe presidentit Macron.

“Pres që të jetë më o organizuar, ide kreative, substancë, që dy bashkëorganizatorët të jenë më të koordinuar dhe që natyrisht me prezencën e BE-së dhe që të ketë një mbështetje unike evropiane”, ka deklaruar ai në Rubikon të KTV-së.

Ai po ashtu përmendi edhe mbështetjen e SHBA-së. Sipas tij, në Samiti në Berlin nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe nëse një gjë e tillë ndodh në Paris, Thaçi thotë se rezultatet do të jenë të njëjtë si në Berlin.

“Dëshiroj shumë qartë të theksoj se po, më është konfirmuar që ky samit nuk ka qenë i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si i tillë, i vetmi sukses që ka qenë është arritja e presidentit Macron që të afrohet me ne dhe të konfirmohet që do marrim pjesë në Samitin e Parisit”.

20:14

Thaçi: Rama i ka dhënë këshilla edukative për sjellje Haradinajt

Presidenti Thaçi ka thënë që letra shpjeguese e kryeministrit Edi Rama për ato që ndodhën në Samitin e Berlinit ka qenë në tërësi e saktë.

Në bisedën që kishin me Haradinajn, Thaçi tha se Rama i kishte dhënë këshilla edukative për sjellje.

“Nga ajo që kam dëgjuar, deklarata e kryeministrit Rama është në tërësi e saktë. Kam dëgjuar debat mes tyre, më tepër kam dëgjuar këshilla në kuptimin edukativ për sjelljet e z. Haradinaj në Samit se sa presion për tarifë. E tëra që kam dëgjuar në bisedë private që ka qenë, ka qenë në formë këshille. Ka qenë formë kokteji, kanë diskutuar edhe ata mes vete si dy kryeministra, asgjë të keqe s’kam pa. E kam dëgjuar një këshillë për mirësjellje, këtë e kam dëgjuar dhe këtë e kam parë”, ka thënë ai.

20:07

Thaci përgënjeshtron Haradinajn: Askush nuk i përmendi vizat në Berlin

Për takimet e njëjta që kishin në Samitit e Berlinit, dy krerët e shtetit kanë krejtësisht deklarata të ndryshme.

Përderisa kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar procesin e liberalizimit, presidenti Hashim Thaçi thotë se nuk ka pasur as edhe një premtim të vetëm lidhur me këtë proces.

Ai tha se në takime që kanë pasur përpos Thaçit, Haradinajt dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, procesin e liberalizimin nuk e ka përmendur askush.

“Në Samitin e Berlinit, unë si President dhe Kryeministri Haradinaj, përpos neve që e kemi kërkuar, askush tjetër nuk e ka diskutuar liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

“Në Samitin e Berlinit prej zyrtarëve, përpos neve dhe kryeministrit Rama, nuk e ka përmendur. As nga kancelarja, as nga presidenti Macron. Pra, është bërë vetëm nga ne dhe kryeministri Edi Rama”, ka deklaruar Thaçi në Rubikon.

“Kemi uruar edhe më herët, do të urojmë edhe tash, edhe sonte por duhet të mirret vendimi nga Bashkimi Evropian”.

20:02

Sipas Thaçit, ka mesazhe që taksa rrezikon të kushtëzojë procesin e liberalizimit

Përvec dialogut me Serbinë, taksa rrezikon të kushtëzojë edhe procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ditëve të fundit ka pasur mesazhe të tilla.

“Ka pasur takime të tilla që kanë ardhur në Kosovë pa u deklaruar publikisht dhe ne kemi respektuar edhe kodin e komunikimit që kemi pasur. Nga zyra ime janë refuzuar kategorikisht. Në këto rrethana, të reja, në asnjë rrethanë nuk do të lejohet që të shtohet edhe një kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën sepse ky diskriminim për qytetarët e Kosovës, tek e fundit, BE duhet ta respektojë këtë kontratë me qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave. Prandaj, nuk duhet lejuar që tarifa të jetë kusht për liberalizimin e vizave dhe qëllimi im ka qenë që as mos të lejohet të diskutohet në tavolinë”, ka thënë Thaçi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Ushtari17/05/2019 10:26

O Hash.ti je kob i kti poplli.ti je shpifës ti je itrigrues.ti vetëm të kqija i sjelle kti vendi.o presitent i bër me pazare.o tradhtar i kti populli bujar.historia ka met kap për fyti ka me ta zan frymen rruge jote sataniste përqarëse.të gjith ata të vrar mbas lufte duhe të plasohen në një konto e ajo mund të jet e jotja.shpresojm se në Hag të kesh qendrim të kënshëm dhe shum të gjat.

Shto koment

Të ngjashme