Djali i Ukshin Hotit fton deputetët të kundërshtojnë marrëveshje me Serbinë pa u ditur fati i të pagjeturve

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 16 May 2019 19:23

Në 20-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, i biri i tij Andini, ka thënë se adresimi i çështjes së të pagjeturve duhet të ndodhë vetëm në Serbi.

Hoti ka ftuar institucionet e Kosovës ta kundërshtojnë marrëveshjen me Serbinë deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, raporton KTV.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se pushtuesi iu hakmor Ukshin Hotit dhe Krushës, duke kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës.

Kryeministri ka ritheksuar se si institucione, nuk do të ndalen derisa ta fitojnë betejën për drejtësi.

E, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se Serbia do të përgjigjet para drejtësisë për zhdukjen e Ukshin Hotit dhe gjenocidin që e ka kryer.

Ndonëse vendlindja e tij është Rahoveci, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, tha se kanë vendosur që këtë akademi ta mbajnë në komunën e Prizrenit, për shkak se konsiderohet kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve.

Të pranishmit në këtë akademi kanë bërë homazhe pranë bustit të Ukshin Hotit, në oborrin e Universitetit në Prizren, i cili edhe mban emrin e tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme