Arbëri

Mbyllet sot Legjislatura e Kuvendit të Shqipërisë

Tiranë, 4 maj - Kuvendi i Shqipërisë mbyll të enjten punimet e Legjislaturës VIII , që shënon dhe shpërndarjen e parlamentit aktual për t’i hapur rrugën zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, nga ku do dalin 140 deputetët e rinj.

Rendi i ditës i seancës së sotme parashikon mes të tjerash miratimin e projektvendimit për “Për mbylljen e Legjislaturës VIII të Kuvendit”, ndërsa në rend dite janë për diskutim dhe disa pr/ligje, si ai “Për peshkimin”, “Për zonat e mbrojtura”, ratifikimi i dy marrëveshjeve me palën gjermane për projekte në infrastrukturë, etj.

Seanca e fundit e këtij parlamenti do të mbyllet pa praninë opozitës. Ajo refuzoi sërish dje ofertat e maxhorancës për zgjidhjen e krizës politike në vend, shkaktuar nga futja e saj në protestë prej më shumë se 70 ditësh, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike si garancia për zgjedhje të lira e të ndershme. Edhe takimi i djeshëm, në Presidencë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha nuk prodhoi një marrëveshje për futjen e opozitës ne zgjedhje.