Arbëri

SOS Fshatrat me rekomandime që nevojiten për pavarësimin e të rinjve

Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë vepron tash 19 vite duke u përkujdesur për mëse 1000 fëmijë të braktisur, fëmijë që kanë humbur kujdesin prindëror apo që janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror si dhe përkrahë familjet në nevojë.

Me këtë rast, në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, ka shënuar këtë ditë të mërkurën, më 15 maj 2019 nga ora 10:00-12:00 në SOS Fshatin e Fëmijëve, në Prishtinë.

U trajtua me theks të veçantë mbështetja e të rinjve pa kujdes prindëror që dalin/apo janë në proces të daljes nga kujdesi alternativ dhe rrugëtimi drejt pavarësimit të qëndrueshëm.

Mbështetja për tranzicion në pavarësi parasheh se adoleshentët pa kujdes prindëror apo që kanë humb kujdesin prindëror përballen me nevoja dhe pasiguri të veçanta për të lënë kujdesin alternativ dhe në këtë rast kërkohet nga familjet dhe akterët relevant të gjejnë mënyra se si të përgatiten të rinjtë për tranzicion duke filluar nga qasja në arsim dhe punësim, strehim, mbështetje psikologjike, në shërbimet pas kujdesit si dhe përkrahje në rehabilitimin me familjet e tyre kur kjo është në interesin e tyre më të mirë.

SOS Fshatrat e Fëmijëve tashmë disa vite me radhë shënon Ditën ndërkombëtare të Familjes dhe promovon tema diskutimi me rëndësi për familjen.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin SOS Familjet, Familjet nga Programi Fuqizimi i Familjes, Familje dhe Fëmijë nga komunitetit, përfaqësues nga institucionet e ndryshme të komunave të Kosovës, partner dhe shumë bashkëpunëtorë të SOS Fshatit.

Disa nga diskutimet nga punëtoritë tematike me të rinj, prindër dhe të tjerë:

Rruga drejt pavarësimit të të rinjve pa kujdes prindëror

Mbështetja institucionale që ju duhet të rinjve pa kujdes prindëror apo që kanë humbur kujdesin prindëror

Qëndrueshmëria ekonomike e të rinjve pa kujdes prindëror

Kompetencat për pavarësimin e të rinjve që dalin nga kujdesi alternativ:

Çështja ligjore sa i përket përcaktimit të moshës (18 vjeç); Edhe pse është përcaktuar si moshë në aspektin ligjor ajo nuk konsiderohet faktor kyç për pavarësi për shkak të mundësive, aftësive, interesave, zhvillimit, të cilat janë të ndryshme tek secili njeri, pra janë individuale.

Marrëdhëniet e qëndrueshme të të rinjve me të tjerët;

Niveli i shkollimit;

Menaxhimi i parasë;

Aftësia dhe gjindshmëria për të aplikuar në një vend pune;

Shkathtësia sa i përket kujdesit shtëpiak dhe menaxhimit të familjes;

Disa nga sfidat që u theksuan nga të rinjtë që jetojnë në kujdes alternativ:

Sa i përket aspektit ligjor në kuadër të ligjeve aktuale në Kosove u potencua se në momentin kur i riu e arrin moshën 18 vjeçare përfundon përkrahja nga ana e shtetit (fjala është për të rinjtë të cilët jetojnë në kujdes alternativ) dhe kjo është një nga sfidat që sjell pasiguri, mungesë të mbështetjes pas moshës 18 vjeç. Shteti nuk ka infrastrukturë ligjore dedikuar për këtë moshë është, e cilësuar që është e njëjtë si ata të rinj që jetojnë në familje biologjike si të tjerët që jetojnë në kujdes alternativ.

Kushtet e vështira ekonomike në vend dhe vështirësia për të gjetur punë;

Kur një i ri punësohet nuk pajiset me kontratë apo edhe nëse ka ato nuk respektohen;

Problemi në aspektin e çështjeve pronësore të trashëguara (procese që zgjasin shumë)

Qeratë e shtrenjta;

Paragjykimet dhe pritjet e rrethit në raport me të riun;

Rekomandimet dhe veprimet që nevojiten për të rinjtë drejt pavarësimit:

Ligji i ri për Familjen të parasheh dhe përcaktojë qartë shërbimet dhe mbështetjet që iu nevojiten të rinjve që dalin nga kujdesi alternativ, si dhe mosha e të rinjve 18 vjeç të mos merret parasysh për dalje nga kujdesi alternative por zhvillimi dhe shkalla e pavarësimit të të rinjve që janë të gatshëm të jetojnë të pavarur dhe të sigurojnë qëndrueshmëri sociale dhe financiare.

Mbështetja nga Qendrat për punë sociale si dhe organizatat joqeveritare për të rinjtë me sjellje asociale dhe vështirësi familjare si kategori specifike në procesin e riintegrimit, riedukimit dhe socializimit të tyre.

Ngritja e kapaciateteve njerëzore në Qendrat për punë sociale që do të mbështeste të rinjtë në këshillim dhe aftësim për jetë (punësimi i psikologëve).

Ministria e Arsimit të shtyjë përpara strategjinë për zhvillimin e Orientimit profesional dhe në karrierë të të rinjve

Shkollat të zhvillojnë programe specifike për të rinj me fokus Orientimit profesional dhe Orientimin në karrierë.

Shkolla përmes planit dhe programit arsimorë t’i mbështes të rinjtë të njohin më mirë kapacitetet e tyre përmes mekanizmave që do t’i ofrojë institucioni arsimorë. (të profilizohen gjatë shkollimit bazik).

Funksionalizimi i Qendrave të Karrierës që të rinjtë të kenë më shumë mundësi për të gjetur drejtimin e tyre të duhur.

Zhvillimi i vazhdueshëm personal dhe profesional (leximi, pjesëmarrja në aktivitete edukative joformale, trajnime)

Analizimi i tregut të punës (vizitat e vazhdueshme e portaleve të punës, rrjetëzimi profesional, etj)

Dita Ndërkombëtare e Familjes ofron një mundësi për të promovuar ndërgjegjësimin për çështjet që kanë të bëjnë me familjet dhe për të rritur njohuritë mbi proceset sociale, ekonomike dhe demografike që prekin ato.

Kjo ditë frymëzon një sërë ngjarjesh ndërgjegjësimi në shumë vende të botës, kjo ditë është një mundësi për të nxjerrë në pah fusha të ndryshme me interes dhe rëndësi për familjet.