Bytyqi: SBASHK-u po i ndryshon fjalët

Bytyqi shpreson që Kosova në shtator rikthehet në ENQA

14 May 2019 23:49
23:59

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në Ministrinë që ai drejton nuk ka të punësuar partiakë.

“Ministria e Arsimit, më së paku ka angazhuar staf brenda krahasuar prej të tjerave. Kemi pasë reformë të brendshme, kjo ka qenë arsyeja pse s’kemi lejuar të kemi të afërt në ministri”, tha ai.

Sipas tij, në Ministrinë e Arsimit, deri tani s’ka asnjë zyrtar të nivelit të ulët apo të lartë që i takon partisë NISMA.

“Po them te pjesa e angazhuar që i takon shërbyesve civilë. S’kemi pasur asnjë ankesë zyrtare që dikujt i është bërë ndonjë padrejtësi”, tha ai.

Bytyqi tha se ka ngatërresa e paqartësi kur po bëhen akuza se në këtë ministri po punësohen partiakë të Nismës. Ai tha se ata persona që janë nga Nisma, i ka gjetur aty kur mori mandatin.

“Në Ministrinë e Arsimit ka më shumë të partive tjera se të Nismës. Asnjë zyrtar i lartë nuk është i punësuar tek ne”, tha ai.

Për mbesën e tij, ka thënë se është në Ministri të Arsimit, dhe bënë punë praktike nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe ka mohuar se ka kontratë mbi vepër.

Bytyqi ka folur edhe për rianëtarësimin në ENQA. Ka thënë se pret përgjigje pozitive.

“Po presim raportin final dhe jemi optimist që do të marrim përgjigje të mirë. Nga veprimet tona, sidomos që të kemi ligj të veçantë për agjencionin e akreditimit, besoj se do të rianëtarësohemi. Po presim përgjigje nga ENQA e vendimin final do ta marrim në fund të gushtit, konkretisht, në shtator. Jam i bindur që ne do të vazhdojmë rrugëtimin, pra rianëtarësimin tonë”, tha ai.

23:55

Testi i Koordinatorit Nacional ka shkaktuar edhe dëme, thotë Bytyqi

Për numrin një të politikës së arsimit në Kosovë, Shyqiri Byyqi, organizimi i garës së diturisë, nga Koordinatori Nacional i Arsimit, Rexhep Hoti, ka mundur të shkaktojë edhe dëme në sistemin arsimor në Kosovë.

Nuk ka folur as për madhësinë e dëmit e as për pasojat e tij, derisa ka thënë se kanë bërë thirrje për një raport të detajuar për mbarëvajtjen e testit, pas të cilës do të mund të dalin me një opinion më të saktë.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se Ministria e Arsimit e luan rolin kryesor në sistemin arsimor, derisa një pjesë shumë të rëndësishme të këtij menaxhimi e kanë edhe pushteti lokal, respektivisht Drejtoritë Komunale të Arsimit.

“Kjo që ka ndodhur është pjesë e koordinatorit nacional. Ministria e Arsimit nuk ka qenë pjesë e organizimit. Edhe ne si Ministri kemi marrë shqetësime për organizimin e testit. Kemi kërkuar raport për ecurinë dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Sapo të kemi një raport do të dalim me një deklaratë rreth kësaj çështje”, ka thënë Bytyqi, përcjell Koha.net. “Kemi shqetësime edhe nga prindërit edhe nga shkollat, por nuk kemi një opinion derisa të kemi raportin e detajuar”, ka thënë më tej.

Sipas tij, ideja për këtë garë ka qenë e mirë dhe ka pasur synim që të nxitë mendimin kritik te nxënësit, derisa ka shtuar se me këtë arsye i është dhënë edhe leja nga Qeveria e Kosovës që të mbahet ky testim.

“Por nëse ai ka dështuar, ne do ta shohim pasi që t’i marrim detajet e raportit”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për thirrjen nga ana e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, për raportim.

“Rolin kyç në raportim në Kuvend do ta ketë Koordinatori. Unë jam i gatshëm që të raportojë sa herë që thirrem”, ka thënë ai.

Bytyqi ka thënë se MASHT-i ka pasur angazhimet e veta për ngritjen e cilësisë. Dhe në kuadër të tyre ata nuk kishin planifikuar një test të tillë.

“Në një të ardhme të afërt edhe do të mund të bënim jë test të tillë, por jo në përmasa të tilla. Sepse për këso përmasa duhet një përgatitje shumë më e madhe. Ndoshta kemi mundur ta bënim me përmasa më të vogla, me nxënës të përzgjedhur. Kështu si është bërë, ndoshta ka shkaktuar edhe dëme”, ka thënë ai.

23:49

Bytyqi: SBASHK-u po i ndryshon fjalët

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është lajm shumë i mirë vendimi i gjykatës që të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës së janarit.

Gjykata ka vendosur që 3 javët e humbura të mësimit gjatë grevës së janarit, do të kompensohen, njësoj siç kishte marrë vendim Ministria e Arsimit më datë 26 shkurt të këtij viti.

“Ky informacion për neve është i mirëseardhur për kompensimin e orëve. Kjo është e rëndësishme për nxënësit tanë. Frika jonë ka qenë që mos po shtyhej vendimi i gjykatës që mund të shkaktonte dëm në mos zhvillimi i orëve”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka thënë se tashmë në disa shkolla orët janë kompensuar, megjithatë ende ka shkolla që orët nuk janë kompensuar.

“Në takimin e fundit me drejtorët e DKA-së, kur pamë se s’kishte gatishmëri nga SBASHK-u për bashkëpunim atëherë vendosëm të mos komunikojmë më me ta. Konsideroj se pas këtij vendimi të gjykatës do të hiqen hezitimet nga ana e DKA-ve. Mendoj që masat që do të marrim nëpër shkolla të caktuara, është se ato mund të kompensojnë orët. Po ashtu edhe të shtunave mund të kompensohen, e po ashtu edhe pesë ditë më tepër jemi të gatshëm ta vazhdojmë”, ka thënë ai.

Bytyqi tutje ka shtuar se SBASHK-u po i ndryshon fjalët.

“Gjykata e ka refuzuar kërkesat e SBASHK-ut që ka treguar se vendimi i MASHT-it ka qenë i drejtë. SBASHK-u po i ndryshon fjalët, pasi kishin thënë se do të pranojnë secilin vendim të gjykatës. Ne kishim deklaruar se do të mbronim mësimdhënësit, por edhe sistemin arsimor. Mendoj se edhe SBASHK-u duhej ta bënte këtë derisa të realizoheshin të gjitha kërkesat. Ajo është dashur të jetë partnere edhe në zëvendësimin e orëve. Në ligjin e grevave askund nuk thuhet se orët duhet të kompensohen, por ne jemi thirrur në ligj të universitetit të lartë”, ka thënë Bytyqi. “Sistemi arsimor është shumë i veçantë, dhe nëse orët nuk kompensohen atëherë dëmtohen fëmijët. Kjo është diçka që do të gjykohemi në të ardhmen, e kjo ishte arsyeja se pse kemi insistuar në kompensimin e orëve.

Ai thotë se duhet të përmbushet norma për mbylljen e vitit shkollor.

“Çështja ligjore është ajo që i obligon të përmbushin normat e caktuara për mbylljen e vitit shkollor. MASHT-i mund të kërkojë që të mos mbajë asnjë test të maturës, nëse nuk është e caktuar norma. Ka pasur shumë ideja që prapa SBASHK-ut mund të ketë ndikime politike. Por, për mua ka qenë i paarsyeshëm insistimi i tyre për mos kompensimin e orëve. Duhet të kemi kujdes të dihet se kush është vendimmarrësi në sistemin arsimor. E ne duhet të mbrojmë sistemin arsimor”, ka thënë Bytyqi.

Ai thotë se nuk duhet asnjëherë të dëmtohen nxënësit për shkak të asaj greve.

“Ka qenë për t’u befasuar insistimi i tyre për mosmbajtjen e orëve që duhej kompensuar. Shpresoj se do të minimizohet humbja e orëve. Ne jemi për të respektuar të drejtat e mësimdhënësve, por jo të dëmtohen nxënësit”, ka thënë Bytyqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme