Dy nxënës nga Prishtina zënë vendin e dytë në garën rajonale Kodim me mikrobit në Beograd

14 May 2019 20:34

Ed Haliti dhe Eni Zymeri kanë zënë vendin e dytë në Garën Rajonale në Kodim me mikrobit që është mbajtur në Beograd.

Në garën e cila është zhvilluar në kuadër të projektit Shkollat e shekullit 21 nga British Council, Haliti dhe Zymeri thonë të kenë mësuar shumë gjëra të reja për teknologjinë.

Drejtoresha e shkollës, Gjylie Bala, tha se nëse e krahasojnë këtë garë me atë të Diturisë, vërejnë shumë mangësi.

Por në anën tjetër, organizimin e garës së diturisë, të cilat u zhvilluan të shtunën, e që në shumë shkolla nuk u mbajtën, njohës të arsimit e vlerësojnë si skandaloz.

Komisioni për Arsim në Kuvendin e Kosovës ka ftuar në mbledhjen e radhës për raportim organizatorin e garës, koordinatorin nacional për Kulturë, Rexhep Hoti dhe ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi.

Ministria e Arsimit, kur është pyetur të martën nga KTV-ja lidhur me organizimin e garës së diturisë, ka refuzuar të flasë, por përmes një përgjigjeje me shkrim, kjo Ministri thotë se tërë përgjegjësia i takon koordinatorit.

Për organizimin, ecurinë dhe rezultatet e garës Qeveria e Kosovës ka thënë se do të kërkojë raport.

KTV-ja për dy ditë radhazi, ka tentuar të marrë një qëndrim nga koordinatori Rexhep Hoti, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme