Arbëri

Përkujtohet Komandant Bardhi, Thaçi e Veseli thonë se lufta e UÇK-së ishte e pastër

Foto: Ksp

Me rastin e 20-vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazi, Komandant Bardhi, është mbajtur akademi përkujtimore për të nderuar veprën e tij.

Me këtë rast u tha se roli i komandant Bardhit ishte shumë i rëndësishëm për çlirimin e Kosovës.

Pjesë e kësaj akademie ishin dhe dy krerët institucional, ku thanë se lufta e UÇK-së ishte luftë e pastër për çlirim, ndërsa përsëriten se dënimi i gjenocidit serb është i domosdoshëm.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh se komandant Bardhi është njëri ndër personalitetet më të shquara të UÇK-së, që sipas tij pa të dhe të tjerët realiteti i lirisë së Kosovës nuk do të arrihej.

“Realiteti i lirisë së Kosovës kurrë nuk do të arrihej pa gjakun dhe sakrificat e djemve dhe vajzave të Kosovës. Këtë realitet nuk do të kishim pa Qamilin dhe bashkëluftëtarët të tij”, tha presidenti Thaçi, shkruan ksp.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Qamil Ilazi për tre dekada i kishte kushtuar veprës së tij për Kosovën.

“Qamil Ilazi është shembull i vlerës së kombit tonë, luftës së drejt e të pastër të Kosovës. Lufta e UÇK-së është luftë e pastër për çlirim, ndërsa gjenocidi serb është vepër e tyre që njëherë e mirë do të japim përgjegjësi. Gjykata për krimet e tyre është e domosdoshme dhe e pashmangshme”, tha ai.

Nënkryetari i komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra, tha se Komandant Bardhi ishte personaliteti i duhur për t’u bërë simbol i luftës në Kaçanik dhe më gjerë, pasi siç tha ai gjithmonë ishte në ballë të betejave.