Arbëri

Vonesa të theksuara të zbatimit të MSA-së në fillim të këtij viti

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Vetëm 30 për qind e masave të planifikuara për zbatimin e programit për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit janë zbatuar plotësisht, ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Ajo në mbledhje ka paraqitur për miratim në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe në mes të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për vitin 2018, për Programin e Bashkëpunimit ndërkufitar për IPA.

Sa i përket nismës për marrëveshje, Hoxha theksoi se kjo marrëveshje mundëson rritje të përfitimit nga fondet e IPA-s për bashkëpunim ndërkufitar në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. “Marrëveshja mundëson zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve në kuadër të alokimit të fondit IPA për vitin 2018, në fusha si mbrojtja mjedisore, turizmi, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tregtia dhe investime”, ka thënë ajo.

Pas miratimit të kësaj nisme, do të vazhdojnë konsultimet me Komisionin Evropian, për nënshkrimin e marrëveshjes në kohën e paraparë, thuhet në njoftim nga MIE. Nisma u miratua njëzëri në Kabinetin qeveritar.

Sa i përket masave për zbatimin e MSA-së, Hoxha ka thënë se programi për vitin 2019 ka paraparë 401 masa afatshkurta, prej të cilave 160, ose 39.9% e tyre, janë masa legjislative, ndërsa 241 masa, ose 60.10% e tyre, janë masa zbatuese.

Shkalla e përgjithshme e zbatimit të Programit gjatë periudhës raportues janar – mars 2019 është 5.99%, pasi që 24 nga 401 masa të planifikuara janë zbatuar plotësisht, ndërsa nga këto 24 masa të zbatuara, 12 janë zbatuar para afatit të planifikuar.

Sa i përket shkallës së zbatimit të masave të planifikuara për t’u zbatuar brenda tremujorit të parë, 30% e masave, janë zbatuar plotësisht, 70% e masave, nuk janë zbatuar plotësisht dhe përballen me vonesa serioze, ka bërë të ditur ajo.

Shkalla e zbatimit të masave legjislative të planifikuara për t’u zbatuar brenda tremujorit të parë, të gjeturat tregojnë si në vijim: 25.81% e masave, janë zbatuar plotësisht, 74.19% e masave, akoma nuk janë zbatuar plotësisht, pra përballen me vonesa serioze.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka zbatuar masat 100%, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, 80%, Ministria e Punëve të Brendshme ka zbatuar 50%, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, 42.11%, Ministria e Administratës Publike, 25%, ndërsa 8 ministri e kanë pasur nga një masë, të cilën nuk e kanë zbatuar.

Sipas gjetjeve, Hoxha potencoi edhe reformat kyçe të planifikuara që nuk janë zbatuar: 17 akte nënligjore, dy projektligje, një strategji, një koncept dokument dhe projekt kodi doganor dhe akcizave.

Masat zbatuese të planifikuara për t’u zbatuar brenda tremujorit të parë, të gjeturat tregojnë si në vijim: 44.44% e masave, janë zbatuar plotësisht, 55.56% e masave, akoma nuk janë zbatuar plotësisht, pra përballen me vonesa serioze.