Arbëri

Matoshi kërkon nga Kompanitë e Mbeturinave t’i raportojnë keqpërdoruesit e mjedisit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është takuar me anëtarët e Pamkos-it, Asociacion i Kompanive Regjionale të Mbeturinave të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe anëtarët e Pamkos-it, kanë diskutuar për sfidat që kanë kompanitë regjionale të mbeturinat si ato teknike ashtu edhe ligjore, dhe zgjedhjen e tyre përmes institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, Matoshi ka ofruar mbështetje për këto kompani aksionare, duke i vlerësuar si partnerët kryesor të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Kompanitë që ju drejtoni janë të rëndësishme për ministrinë që e drejtoj dhe vendin tonë. E di që keni sfida dhe bashkërisht do të mundohemi që t’i tejkalojmë. Për t’i kaluar këto sfida, unë propozoj ta bëjmë një grup punues të përbashkët dhe t’i hedhim në letër gjitha kërkesat tuaja”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, po ashtu kërkoi nga përfaqësuesit e Kompanive Regjionale të Mbeturinave që t’i evidentojnë dhe raportojnë keqpërdoruesit e mjedisit si dhe të shikohet mundësia përmes komunave që përfaqësuesit e tyre të kenë të drejtë të japin gjoba mandatore për ata që hedhin mbeturina në vende të palejuara.

Ndër tjerash ministri Matoshi tregoi se MMPH-ja është në proces të procedurave ligjore të Strategjisë për Menaxhim të Mbeturina si dhe ka miratuar Udhëzimin për Gjoba Mandatore që do t’i kontribuoj një mjedisi pa mbeturina.

Ndërsa anëtarët e Pamkos-it, gjatë këtij takimi kanë treguar për sfidat që hasin Kompanitë Regjionale të Mbeturinave të Republikës së Kosovës, duke filluar borxhet e akumuluara, mungesa e pajisjeve të reja për grumbullim të mbeturinave, kamata e ndëshkimit nga ATK-ja, deponitë ilegale dhe sfidat në menaxhimin e mbeturinave.