Arbëri

NATO i shqetësuar për Maqedoninë, përcjell edhe zhvillimet në Shqipëri

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë në Bruksel se Aleanca Veri-atlantike është shumë e shqetësuar për shkak të situatës në Maqedoni, ndërkohë që me kujdes është duke përcjellë edhe zhvillimet në Shqipëri.

Ai ka shtuar se qëndrim i NATO-s është që proceset demokratike duhet të respektohen dhe shumica në parlament ka të drejtën të vendosë se kush do të formojë qeverinë.

Stoltenberg këtë deklaratë e bëri në debatin me deputetët e Nënkomitetit për siguri dhe mbrojtje në Parlamentin Evropian dhe theksoi se NATO po forcohet në Evropën lindore jo për të shkaktuar konflikt të mundshëm me Rusinë, por për të vendosur lidhje pragmatike dhe është e gatshme për dialog me Moskën.

Kreu i NATO-s ka theksuar se Aleanca Veri-atlantike po përcjell edhe zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri. “Kjo do të thotë se dëshirojmë që atje të zgjidhen problemet politike dhe të përfundojë bojkoti në Parlament, pasi Shqipëria është aleate e NATO-s, të cilën e çmojmë veçanërisht”, ka thënë ai.

Stoltenberg ka theksuar se prania dhe angazhimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor mundëson që të luftohet kundër terrorizmit.