Arbëri

Gjykime në mungesë për krimet e Serbisë në Kosovë

Shumë persona nga Serbia, të cilët organet e ndjekjes penale në Kosovë i shohin si përgjegjës për krime lufte gjatë periudhës 1998-99, mund të gjykohen në mungesë nën dyshimet për krime lufte në Kosovë, thonë autoritetet në Prishtinë.

Gjykimet për rastet e krimeve të dyshuara të luftës, janë kthyer në një top-prioritet për institucionet e Kosovës, tani 20 vjet pas përfundimit të konfliktit, i cili si pasojë la më shumë se 13 mijë viktima në njerëz dhe shumë krime tjera të pandriçuara.

Personat që autoritetet në Kosovë i shohin përgjegjës për këto krime, sipas organeve të rendit, kryesisht jetojnë në Serbi, por edhe në ndonjë vend tjetër të rajonit. Sjellja e tyre para drejtësisë në Kosovë, konsiderohet gati e pamundshme, pasi që Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, andaj rrjedhimisht edhe nuk mund të ketë një marrëveshje ekstradimi.

Ministria e Drejtësisë ka proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ku është paraparë edhe dispozita për gjykimin dhe dënimin në mungesë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, mendon se gjykimi edhe në mungesë i këtyre personave e ka domethënien dhe kuptimin e vet dhe sapo pak shpaguan edhe borxhin ndaj viktimave.

Gjatë javës së fundit, në Prishtinë, institucionet ndërmorën disa nisma që si qëllim kishin adresimin e çështjeve që ndërlidhen me gjykimet për krime lufte.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë!