Arbëri

Mes “American dream” dhe “Obrigado”

Lidra Basha e “pauzoi” ëndrrën amerikane për shkak të dashurisë së jetës. Është kthyer më 2010 që të martohej me Arben Ramadanin, me të cilin ishte në lidhje prej klasës së tetë.

“Shpresojmë se së shpejti do të kthehemi bashkë në Amerikë”, thekson me qeshje Basha, teksa i referohet bashkëshortit dhe të bijës, Arben e Troja Ramadani.

Për herë të parë shkoi në Shtetet e Bashkuara si refugjate më 1999. Tani, si shtetase amerikane, shpreson të kthehet bashkë me familjen, shkruan sot Koha Ditore.

Kremtim Gashi nisi t’i jepte ëndrrës krahë në kohën kur Kosova ishte në luftë. Po luante në fushat e blerta të futbollit në Portugali. Statusi prej refugjati lufte ia mundësoi të udhëtonte me autobus nëpër Portugali, Spanjë, Francë, Belgjikë për t’u vendosur në Gjermani.

“Ëndërroja të luaja në një ekip të madh evropian”, kthehet njëzet vjet në kohë Gashi (30).

Ëndrra iu shua pas kthimit në Kosovë në verën e parë të lirisë. Kaherë i ka çuar duart prej ëndrrës së madhe. Gashi ka pesë vjet që punon si kontabilist. I biri i tij, Kolosi, është ende shumë i vogël për ta kuptuar historinë e babait. Rrugëtimi i Bashës dhe Gashit drejt botës perëndimore nisi nga Maqedonia. Rrëfimet e familjeve të tyre janë goxha të ndërlikuara.

Nuk kanë kurrfarë lidhjeje farefisnore, por sikur qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës, i bashkon historia e luftës dhe e dëbimit jashtë vendit nga regjimi serb. Dy familjet udhëtuan në shtete të ndryshme. Njëra u kthye, sepse lirinë e shihte si shpresë. Tjetra përjetoi ditën e parë të lirisë, por mori udhëtimin e largët nga droja se bashkë me lirinë do të vinin edhe shumë sfida të reja në Kosovë.

Sakrificat e shumta për dashurinë e jetës

Lidra Basha (35), mësimdhënëse e anglishtes në Komogllavë të Ferizajt, ngulmon se në fund do ta jetësojë ëndrrën amerikane si familje për shkak se krejt sakrificat - të përshkuara me udhëtime të përmuajshme të kushtueshme SHBA-Kosovë dhe anasjelltas për dhjetë vjet me radhë - i bëri për dashurinë e jetës. Një tjetër do t’i shtohej çiftit të ri.

“Kam punuar vetëm për bileta aeroplani. Pothuajse çdo muaj kam ardhur me nejtë, sepse e kemi ruajtur lidhjen edhe gjatë kohës sa unë isha në Amerikë e ai në Kosovë”, thekson me qeshje ajo. “Madje babai më pati thënë se meqë nuk po mundet Beni me ardhë në Amerikë, është mirë të ndahesh”, shton Basha.

Ajo ishte e vendosur të luftonte për dashurinë, sidomos pas gjithë sakrificave e përjetimeve familjare e personale, sidomos gjatë luftës....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)