Arbëri

Supremja kritikon Apelin pse e liroi Emin Beqirin, thotë se kishte prova për ta gjykuar për korrupsion

Ish-drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, është liruar jashtëligjshëm nga akuzat për korrupsion.

Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të cilin e ka siguruar Koha Ditore ka gjetur shkelje të Gjykatës së Apelit të cilët jashtëligjshëm e kanë favorizuar Beqirin që të mos gjykohet fare për korrupsion edhe pse sipas Supremes në dispozicion Gjykata kishte prova të mjaftueshme që bazonin dyshimin se Beqiri është i përfshirë në një aferë korruptive, raporton “Koha Ditore”.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e Apelit gabimisht kanë vlerësuar se nuk është argumentuar nga provat dyshimi se Beqiri është I përfshirë në këtë aferë korruptive.

“Në fakt nga transkriptet e bisedave në mes të V.H., Rr.H., I.B. etj., vërtetohen se të njëjtit kanë bisedime të gjata lidhur me shumën e parave të dhëna, operacionet të cilat do t’i kryejnë policia ku përmenden shumë emra e në mesin e tyre vazhdimisht përmendet edhe emri i të pandehurit E.B., si person i cili është në krye të kësaj pune. Të gjitha këto prova të dorëzuara nga prokuroria, dëshmitë e V.H., F.B., Q.B., R1.H1, S.D., etj., të cilat janë në përputhje me njëra tjetrën”, thuhet në aktgjykimin që e posedon gazeta.

Ani pse sipas Supremes, CD-ja dhe incizimi i zërit nuk kanë mundur të deshifrohen, të gjithë dëshmitarët kanë mbështetur deklaratat që citohen në incizim.

“Për të cilat incizime të gjithë deklarojnë në mënyrë të njëjtë se çka ndodhet në to, kjo gjykatë konsideron se pa të drejtë Gjykata e Apelit ka ardhur në konstatim se nuk ka pasur asnjë provë e cila ka involvuar të pandehurin E., në veprat penale për të cilat është akuzuar”, thuhet në aktgjykim.

Pa bazë Gjykata e Apelit sipas aktgjykimit të Supremes është future në vlerësimin e provave. Sipas Supremes kjo fare nuk është kompetencë e tyre por e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Detajet e këtij aktgjykimi mund t’i lexoni në numrin e nesërm të “Kohës Ditore”.

Image

Image