Arbëri

Heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, Beogradi e quan shuplakë në fytyrë të Serbisë dhe Evropës

Edhe pas kthimit nga Shqipëria, presidenti Hashim Thaçi ka vazhduar ta kërkojë heqjen e kufirit mes dy shteteve, sapo e kaloi atë.

Madje, Thaçi i ka quajtur gërmadha pikëkalimet kufitare, duke kërkuar nga të dyja vendet të marrin guximin për t’i larguar, raporton KTV.

“Sapo kalova pikën kufitare në Morinë, e cila ndan padrejtësisht Kosovën dhe Shqipërinë. Kufi ky i vendosur jashtë vullnetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Këto gërmadha kufitare duhet të hiqen njëherë dhe përgjithmonë. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë liri të lëvizjes dhe mallrave, sipas standardeve evropiane. Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të guxojnë t’i marrin këto vendime dhe atë, pa humbur kohë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Përsëritja e vazhdueshme për heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, ka bërë që të reagojë Beogradi.

Shefi i Zyrës së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se deklaratat më të reja janë shuplakë fytyrës, jo vetëm për Beogradin, por edhe për Evropën.

“Shpresoj që bashkësia ndërkombëtare, e posaçërisht ajo pjesë e cila i ka mbyllur sytë para sjelljeve lazdruese të Prishtinës, më në fund do t’i gjejë fjalët e duhura për ta dënuar sjelljen luftënxitëse dhe anticivilizuese të Hashim Thaçit dhe udhëheqësisë në Prishtinë”, ka shkruar Gjuriqi në Facebook.

Ai ka thënë se me eskalimin e papërgjegjësisë dhe agresionit të Prishtinës, nuk vihet në rrezik vetëm populli serb, por edhe Ballkani dhe e gjithë Evropa.

Tema më e re në diskursin politik të Presidentit, është e moçme.

Qeveria e Kosovës në bisedimet me qeverinë e Shqipërisë e kishte përmendur disa herë këtë mundësi. Madje, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte përmendur datën 2 prill, si ditën kur kufiri do të binte.

Kjo nuk ka ndodhur, pasi që, sipas Haradinajt, Shqipëria ishte tërhequr nga kjo marrëveshje, për shkak të obligimeve që kishte marrë nga Bashkimi Evropian.