Arbëri

Ndikimi rus synon një Ballkan jashtë BE-së

Foto: REL

Rusia në vitet e fundit ka punuar shumë për të kthyer apo për të rritur ndikimin në Evropë, në përgjithësi dhe po ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, vlerësojnë njohësit e fushës së diplomacisë.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin ISG (Shkolla Ndërkombëtare e Biznesit) në Paris, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia, në mënyrë specifike, synon që t’i dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor në dy rrugë, të cilat i aspirojnë ato, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Strategjia aktuale e Rusisë është që të gjitha këto synime të saj - pra, që të pengojë integrimin evropian dhe në NATO, të vendeve të Ballkanit Perëndimor -t’i bëjë përmes aktorëve lokalë. Në këtë moment, Rusia nuk ka ndonjë synim të prezencës së shtuar ushtarake. Mirëpo, të gjitha synimet e saj është duke i arritur duke punuar me tensionet ekzistuese, pra duke i keqpërdorur situatat konfliktuoze në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këtë është duke e përdorur si taktikë që t’i rrisë tensionet dhe t’i prishë relacionet”, thekson Murtezaj.

Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe aktualisht president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndikimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është element i rëndësishëm i gjeopolitikës së Rusisë. Ndër elementet që mundësojnë shtrirjen e këtij ndikimi, sipas tij, janë karakteristikat aktuale që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“Karakteristikat që ka aktualisht rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, faza e tranzicionit të tij, elementet e dukshme të keqqeverisjes në shumë vende në këtë rajon, krizat ciklike të përsëritura, dukuritë e tilla siç janë: korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe dukuritë tjera që provokojnë herë pas herë jo-stabilitet, jo-qëndrueshmëri dhe kriza të formateve të ndryshme, janë të gjitha elemente që i hapin dyert mundësisë për t’u rritur prezenca dhe influenca ruse në këtë rajon”, thekson Bashkurti.

(shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë)