Arbëri

Imet Rrahmani në raport te Kadri Veseli për mjekët specialistë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takime të ndara ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, zëvendësministrin e Shëndetësisë, Rrustem Musa si dhe kryeinspektorin e Punës Basri Ibrahimi, me të cilët ka diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje, në përputhje me ligjet në fuqi, për specialistët e papunë në fushën e shëndetësisë, transmeton Koha.net.

Për t’iu shmangur konfliktit të interesit, siç thotë kumtesa nga Kuvendi , Veseli ka takuar ndaras të gjitha palët e përfshira në këtë çështje. Në njërën anë, Ministrinë e Shëndetësisë, dhe në anën tjetër Inspektoratin e Punës.

Këto takime, Kryeparlamentari Veseli i ka thirrur një ditë pasi ka pritur në kabinetin e tij dhjetëra specialistë të papunë, të cilët, pas një proteste, i janë ankuar atij se po u bëhet e padrejtë gjatë fazës së rekrutimit për t’u bërë pjesë e përhershme e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Veseli ka kërkuar sqarim lidhur me këtë çështje nga ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, pasi që siç njofton kumtesa, Kuvendi i Kosovës ka ndarë mjete të mjaftueshme që të zgjidhet ky problem i specialistëve, e njëkohësisht edhe ai i specializantëve.

Ministri Rrahmani dhe zëvendësministri Musa e kanë njoftuar Kryetarin Veseli për problemin aktual, i cili ka ardhur si rrjedhojë e vendimit të Inspektoratit të Punës, ndërsa e kanë siguruar atë se do të merren shumë shpejt me zgjidhjen e kësaj çështjeje, në përputhje me ligjet në fuqi.

Ata janë pajtuar se sistemi shëndetësor i Kosovës ka nevojë për mjekë të rinj dhe për angazhimin e kuadrove të reja, të cilat tashmë janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre në fushat e specializimeve përkatëse.

Veseli, po ashtu, në një takim të veçantë me karakter konsultativ, që ka pasur me Kryeinspektorin e Punës, Basri Ibrahimi, është informuar lidhur me vendimin e këtij institucioni që ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë anulimin e konkursit për specialistët.

Veseli, duke respektuar pavarësinë e këtij institucioni dhe ligjshmërinë e vendimeve që nxjerr ky institucion, ka kërkuar të njoftohet në detaje lidhur me këtë çështje.

Ai ka deklaruar se është i përkushtuar që kjo çështje të zgjidhet shpejt dhe sistemi shëndetësor i Kosovës të hapë perspektivë për kuadrot e reja.