Arbëri

A po e merr “Bechtel&Enka” edhe një rregullim rruge në Kosovë

Foto: Alban Bujari / KD

Zgjerimi i rrugës në Veternik të Prishtinës ka dalë të jetë problem për Ministrinë e Infrastrukturës, që ka filluar para dy vjetësh.

Rrëshqitja e dheut solli si pasojë dëmtimin e murit anësor pasi, dheu i ishte shembur përfundi. Projekti ishte planifikuar që të bëhej në fund të vitit 2018-s, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. E, për t’i dhënë fund këtij projekti Ministri e Infrastrukturës po shikon alternativa.

Ndërtimi.info merr vesh që ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka zhvilluar një takim me përfaqësueses të “Bechtel & Enkas” për të gjetur zgjidhje për këtë rrugë, dhe atë duke dalë direkt në terren bash tek vendi ku ka rrëshqitur dheu.

Ndërtimi.info ka marrë pamje të këtij takimi në terren ku shihej zv.ministri Idriz Selimaj, drejtori i projektit për autostradën “Arbën Xhaferi” nga “Bechtel&Enkas”, Riyadh Alkhazraji, zëdhënësja e kësaj kompanie Ela Ruçi dhe disa zyrtarë tjerë.

Këtë takim, për Ndërtimi.info, e ka konfirmuar zëvendësministri i Infrastrukturës, Idriz Selimaj. Ai ka thënë se ky takim ishte miqësor, për të marrë këshilla profesionale nga “Bechtel & Enka”, për stabilizimin e atij terreni.

“Përfaqësuesi i ‘Bechtel & Enkas’ ka ardhë dhe ka bërë një vizitë shoqërore te ministri, të jap këshilla dhe asistencë profesionale se çka mund të bëjmë që ta stabilizojmë Veternikun. Për momentin është konsulencë, këshillë miqësore. E kemi pa që kompanitë tona kanë ngel në stabilizimin e këtij terreni dhe kanë ardhë na ka këshilluar. Jemi në fazën e këshillimit me ta. Së shpejti do të informoheni nëse aranzhohet diçka konkrete rreth ndërtimit të këtij segmenti rrugor, që na kanë bë të ndihemi keq kompanitë vendore”, ka thënë ai.

Ndërsa, zëdhënësja e “Bechtel & Enkas”, Ela Ruçi, ka thënë se takimet me ministrin ndodhin në mënyrë periodike.

“Ne takohemi në mënyrë periodike me ministrin e Infrastrukturës për nevojat që ka Ministria në raport me ‘Bechtel & Enkan’”, është shprehur shkurt Ruçi.

Brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Ndërtimi.info merr vesh se tashmë dihet qartë se po merret një konsulencë inxhinierie nga “Bechtel&Enka”. Mirëpo, ky burim e len të hapur mundësinë që kompania që ka kryer dy autostradat më të mëdha të Kosovës, mund të marrë punën dhe ta përfundojë këtë problem në Veternik.

Kurse për shembjen e murit dhe rrëshqitjen e dheut, Ministria e Infrastrukturës kishte themeluar një komision për këtë rrugë.

Sipas raportit të nxjerrë nga ky komision ishte thënë se rrëshqitja e murit anësor në këtë rrugë, erdhi me që hallkat të cilat nuk kanë funksionuar në këtë drejtim, duke u nisur nga projektimi, mbikëqyrja, punëkryerësi dhe koha e keqe nga të reshurat atmosferike që kanë mbizotëruar ato ditë.

Në anën tjetër ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në maj të vitit 2018, kishte premtuar se punimet e kësaj rruge do të përfundojnë brenda 55 ditësh.

Projekti 3 milionësh për zgjerimin e rrugës në hyrje të Prishtinës me tetë korsi ishte inauguruar me 18 prill të 2017-ës.