Arbëri

MF: Kosova ka arritur sukses në luftimin e pastrimit të parave e financimin e terrorizmit

Është mbajtur Konferenca mbi vlerësimin e riskut për korrupsionin në gjyqësi, prokurori dhe në prokurimin publik, të organizuar nga Projekti i Përbashkët i Bashkimit Evropian / Këshilli i Evropës kundër Krimit Ekonomik në Kosovë (PECK II).

Më këtë rast, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi theksoi se është esenciale që praktika të tilla të ndërmerren në vazhdimësi sipas planeve të parapare me qëllim që Kosova të vazhdojë me progresin e duhur në fushat më të cenueshme shtetërore dhe ekonomike.

“Në këtë kontekst pa dyshim që nevojitet një bashkërendim i bashkëpunimit efektiv ndër-institucional, me faktorin ndërkombëtar, rajonal si dhe me sektorin privat, me qëllim të adresimit të dukurive negative në mënyrë sa më efikase”, tha Krasniqi.

Ai bëri të ditur se “Qeveria e Republikës së Kosovës në janar të vitit 2014 ka aprovuar Strategjinë dhe Planin e veprimit për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve ekonomike për vitet 2014-2018”.

“Qëllimi i strategjisë është që të reduktojë ekonominë joformale për 1pp përgjatë periudhës 2014-2018 dhe të rrisë vlerën e aseteve të konfiskuara të përfituara në mënyrë të jashtëligjshëm”, theksoi ai.

Ai gjithashtu prezantoi të arriturat përgjatë viteve 2014 – 2016, ku sipas tij gjatë kësaj periudhe në kuadër të Mekanizmat raportues dhe implementues është themeluar hierarkia e raportimit e përbërë nga 4 nivele: Qeveria, Grupi punues qeveritar nivel udhëheqësve, Sekretariati dhe grupi teknik nivel të institucioneve përgjegjëse në zbatim të PV, ku është bërë monitorimi i implementimit të PV dhe arritjes së indikatorëve të përformancës.

Sipas tij, si rezultat i funksionimit të mirëfilltë të mekanizmit monitorues dhe raportues, “deri në fund të vitit 2016 kemi realizim prej rreth 76% të planit të veprimit të Strategjisë me dy objektiva tërësisht të implementuara (objektiva 1 – Ngritja e vetëdijes për ndikimet ekonomisë joformale dhe krimeve financiare, Objektiva 3 – promovimi i procedurave të inteligjencës, hetimit, të ndjekjes penale, dhe gjyqësore), si dhe rritje në arritjen e objektivave operative të institucioneve zbatuese të ligjit të reflektuara në ngritje të vazhdueshme të hyrave direkte dhe masave në parandalimin e pastrimit të parave”.

“Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit ndër-institucional në luftimin e ekonomisë joformale dhe krimeve ekonomike (2014-2016), zëvendësministri Agim Krasniqi bëri të ditur se gjatë vitit 2014 është bërë vlerësimi i nivelit të ekonomisë joformale në vend që ka rezultuar të jetë nga 31-38% duke përfshi remitencat, është bërë vlerësimi i riskut në sektorin e ndërtimeve, është hartuar dhe aprovuar ligji për pastrimin e parave konform standardeve ndërkombëtare, që i ka parapri anëtarësimit të Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) në organizatat ndërkombëtare si, FTAF dhe Egmond Group””, tha ai.

“Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet NJIF, PK, dhe BQK-së në luftimin e krimeve ekonomike, dhe janë hartuar procedurat standarde operative për NJIF, PK dhe ATK për çasje dhe shkëmbim të dhënave, nënshkrimi i memorandum bashkëpunimit ndërmjet NJIF, Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës dhe ATK, doganat e Kosovës, ATK dhe policia kanë krijuar njësinë e përbashkët për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve të fituara nga krimi, për të ndihmuar në bashkërendimin e aktiviteteve në luftimin e krimeve ekonomike, si dhe krijimi i grupit ndër-institucional ndërmjet institucioneve dhe agjensioneve zbatuese të ligjit për shënjestrimin e top rasteve të krimeve të rënda financiare dhe të korrupsionit”, ka shtuar zëvendësministri Krasniqi.

Ai bëri të ditur gjithashtu se në kuadër të rezultateve operative, është ngritja e vazhdueshme e të hyrave të përgjithshme buxhetore ku mesatarja përgjatë 2014-2016 ishte 6.6% apo rreth 94.6 milionë EUR rritje në mesatare, ku TVSH shënoi rritje mesatare prej 7.5%, TAP 11.3% dhe TAK 9.6% përgjatë 2014-2016.

“Raporte të dyshimta për shpëlarje të parave dhe financim të terrorizmit të pranuara nga NJIF-K në mesatare ishte rreth 103 raste përgjatë 2014-2016, ndërsa hetimet e filluara për krime financiare shënuan rritje përgjatë periudhës 2014-2016, ku në vitin 2016 ato arritën në 2,132 raste”, saktësoi Krasniqi.

Sipas tij, planet për të ardhmen janë që të bëhet ndërtimi i metodologjisë nacionale për kryerjen e vlerësimeve të riskut në sektorët më të cenueshëm ekonomik në vend.

“Gjatë vitit 2017 është paraparë të bëhet vlerësimi i nivelit të ekonomisë joformale, dhe vlerësimi i riskut në sektorët më të cenueshëm ekonomik (lojërat e fatit/ kasinot dhe OJQ-t), të bëhet Rishikimi i planit të veprimit dhe Strategjisë me inputet që pritet të dalin nga aktivitetet e sipërpërmendura, si dhe gjatë vitit 2018 pritet të bëhet vlerësimi i riskut në nivel kombëtarë që duhet të i paraprijë avancimit të Planit të Veprimit dhe Strategjisë për një periudhe 4 vjeçare”, u shpreh në fund, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi.