Arbëri

Takimi Rama-Basha pa marrëveshje

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha nuk arritën sot asnjë marrëveshje në takimin e parë mes tyre për zgjidhjen e krizës, e cila e sheh të djathtën në një protestë të gjatë që vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar një qeveri teknike e cila sipas saj do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor.

Janë të paktën 23 parti opozitare, të cilat kanë refuzuar rregjistrimin në zgjedhje.

Takimi mes palëve, në zyrat e presidentit Bujar Nishani, zgjati të paktën 3 orë. Ndonëse nuk është arritur në një kompromis, duket se megjithatë janë lënë ende hapësira komunikimi, transmeton Zëri i Amerikës. Sipas një njoftimi të shkurtër të shpërndarë nga Presidenca, “gjatë takimit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj. Presidenti i Republikës vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi”, përfundon njoftimi.

Takimi i sotëm erdhi pas thirrjes drejtuar dje pasdite palëve nga presidenti Bujar Nishani që “të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin”. Zoti Rama dhe Basha, hyn në zyrat e presidentit Nishani në orën 10.00 të shoqëruar nga kryetarët e grupeve të tyre parlamentare.

Bisedimet pasojnë disa përpjekje të dështuara për kompromis. Javën e shkuar paketa e propozimeve e ofruar nga dy eurodeputetët David McAllister dhe Knut Fleckenstein nuk çoi në arritjen e një marrëveshjeje. Opozita këmbëngul në krijimin e qeverisë teknike dhe votim elektronik.

Të njejtin qëndrim zoti Basha e konfirmoi dhe mbrëmë, pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat ku përmes videokonferencave patën një bashkëbisedim me Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn dhe Presidentin e Partive Popullore Europiane Joseph Daul, të cilët gjithashtu, mbështetën platformën e kompromisit të ofruar nga McAllister dhe Fleckenstein, ndërsa e quajtën të papranueshëm bojkotin e zgjedhjeve.