Arbëri

Lansohet fushata për ekonomi ‘Lets talk Economy’ në Prishtinë

Descriptive Text

Bashkimi Evropian sot ka lansuar në Prishtinë fushatën për ekonomi ‘Let’s talk economy’.

Në zyrat e kompanisë Gjirafa, fushata sot është lansuar me pjesëmarrjen e Ambasadores, Nataliya Apostolova dhe me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe njohësve të ekonomisë, ndërmarrësve dhe të rinjve të interesuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Apostolova ka folur në hapjen e fushatës, fushata e tretë me radhë pas asaj për arsim dhe asaj për mjedis organizuar nga BE-ja në Kosovë vitin e kaluar.

“Kjo është fushata e tretë, në të cilën duam që diskutimin ta nxjerrim jashtë kësaj zyre të Gjirafës – një prej kompanive më të suksesshme në Kosovë. Me anë të vizitave tek kompanitë, debateve, garave dhe ndihmës financiare do të mundohemi të vazhdojmë mbështetjen e BE-së në sektorin e ekonomisë në Kosovë, një prej prioriteteve tona”, ka thënë Apostolova.

Vjosa Berisha, kryesuese e ekipit në Europe House, ka prezantuar videot e Fushatës për Ekonomi ndërsa edhe ka shpallur të hapur garën për ekonomi, ku të rinjtë do të mund të propozojnë idetë e tyre për startups dhe tri idetë më të mira do të shpërblehen.

Mërgim Cahani, themelues i Gjirafas, ka treguar se mbështetja e Bashkimit Evropian nuk ka munguar asnjëherë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe fakti se kjo mbështetje potencohet në çdo rast e bën atë të lumtur si ndërmarrës.

Fushata do të zgjasë për shtatë javë ndërsa do të fokusohet në regjione të ndryshme në Kosovë.