Arbëri

Pas taksës paralajmërohen edhe masa tjera ndaj Serbisë

Foto: Koha / ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind për të gjitha importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina mund të pasohet edhe me masa shtesë ndaj Serbisë.

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka definuar se cilat do të jenë ato masa, por si të tilla do të pasonin vendimin e 21 nëntorit, për vendosjen e taksës 100 për qind. Të shtunën, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se ka marrë vendim që të shpallen persona të padëshiruar apo non-grata, të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata në mohim të krimeve të luftës në Kosovë.

Ndërkohë që ditëve të fundit, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë paralajmëruar se Kosova mund të ashpërsojë masat deri në reciprocitet të plotë, varësisht sjelljeve të shtetit të Serbisë ndaj Kosovës.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk ka ndonjë masë konkrete që mund të vendoset, por që disa masa reciprociteti ndaj Serbisë, sipas tij, janë duke u shqyrtuar nga Qeveria.

“Nuk ka diçka konkrete deri më tani, por masa e reciprocitetit si vendosja e ndalimit të hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë në Kosovë, si dhe mosnjohja e patentë-shoferëve dhe masa të tjera, janë duke u shqyrtuar të vendosen nëse paraqitet nevoja”, thekson Shatri.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë