Arbëri

Veseli e Thaçi takojnë Gjeneralin Orr, ritheksohet përkrahja e Iowas për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion nga Iowa i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga gjenerali Timothy Orr.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë që Kosova dhe shteti i Iowas kanë ndërtuar ndër vite, si dhe për modalitetet e bashkëpunimin në të ardhmen.

Veseli falënderoi Gardën Kombëtare të Iowas dhe shtetin e Iowas në përgjithësi, për mbështetjen e madhe dhënë Kosovës në fushën e sigurisë, sidomos në përgatitjen e kuadrove ushtarakë.

Kryeparlamentari tha se mbështetja ushtarake për Kosovën është e nevojshme, sidomos tani kur ajo po ndërton kapacitetet e saj të plota ushtarake.

Gjenerali Timothy Orr, nga ana e tij, ritheksoi edhe një herë përkrahjen për Kosovën.

“Jam i nderuar te takoj kryeparlamentarin Veseli dhe ta falënderoj për përkrahjen e tij për këtë marrëdhënie të veçantë mes shtetit të Iowas dhe Republikës së Kosovës. Angazhimi i tij demonstron përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e partneritetit ndërmjet sektorëve kritikë që përfshijnë edukimin, biznesin dhe agrikulturën, në mënyrë që të forcohet bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi gjenerali Orr.

Me Gjeneralin Orr është takuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili tha se Gjenerali Orr “me vite të tëra iu shërbeu dy popujve dhe është personifikimi më i mirë i marrëdhënieve speciale ndërmjet Kosovës dhe Iowas”.

Image

“Ishte gjithmonë përkrah nesh, në momentet më të veçanta për shtetin dhe popullin tonë. Edhe pas pensionimit të tij, gjenerali Orr mbetet një prej mbështetësve më të mëdhenj të Republikës së Kosovës. I jemi përjetësisht mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, shkroi Thaçi në Facebook.