Arbëri

Russell: Fatmirësisht Kosova ka një shtyp që i dëgjohet zëri, por duhet bërë ende punë

Koordinatori i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell ka lëshuar një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Shtypit.

Duke uruar një vit të mbarë dhe të suksesshëm për të gjithë gazetarët, Russell ka theksuar se sa e rëndësishme është sot ta përkrahim lirinë e shtypit.

Sipas Freedom House, në vitin 2015, liria e shtypit kishte rënë në pikën më të ulët në 12 vitet paraprake, si pasojë e akterëve të ndryshëm kriminel e terroristë, që kërkojnë heshtjen e mediave pavarësisht çmimit, në luftën e tyre për pushtet- thuhet më tutje në deklaratë.

“Duke shtuar se Kosova për fat ka një shtyp, të cilit i dëgjohet zëri, vihet në dukje se ka akoma për t’u bërë pasi Freedom House e konsideron një shtyp pjesërisht të lirë, pasi që sipas Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës raportohet të ketë pasur 27 kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve në një vit (2015)”, thotë Russell.

“Sot, Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë solidarizohet me miqtë e vet në media në tërë Kosovën. Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për fuqizimin e rolit tuaj në ndërtimin e një shoqërie plotësisht të hapur, demokratike dhe të lirë në Kosovë”, thuhet në fund të deklaratës së tij.