Arbëri

Haradinaj: Rënia e Luanit në kufi porosi që nuk lejohet ndarja mes shqiptarëve

Descriptive Text

Në 22-vjetorin e rënies është përkujtuar heroi i Kosovës, gjeneral major Luan Haradinaj, ku është thënë se rënia e tij në kufirin shqiptaro-shqiptar është porosi që nuk do të lejohet ndarja mes shqiptarëve.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh vëllai i Luanit, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai asnjëherë nuk e kishte pranuar atë kufi dhe se ka qenë ndër të parët që e ka refuzuar atë.

"Ai ka rënë më 6 maj 1997, është ndoshta e saktë me e thënë që kufirin shqiptaro-shqiptar në zemër e në bindje nuk e kemi pranuar asnjëherë me na nda. Është ndër të parët po ashtu që e ka refuzuar këtë kufi, vërtet ka qenë Luani, i cili e ka kaluar sikur të kalonte nëpër tokën e vet, e jo prej të vetës në tjetrën ose prej tjetrës në të veten. Pra, nuk e ka përfillur këtë kufi, nuk i ka përfillë ato ndarje dhe rënia e tij në këtë kufi është porosi që nuk do të lejojmë ndarjen mes shqiptarëve. Sot jemi mbledhur të nderojmë veprën e atdhetarëve shqiptar jo vetëm të bacës Ismail e të brezit të tij, që janë një brez vërtet heroik, brez që në ato kohë kanë guxuar të besojnë se munden të kundërshtojnë Jugosllavinë që mendohej se është ndër forcat më të mëdha në botë. ", tha ai.

Në po këtë ditë nderime janë bërë edhe për veprimtarinë e çështjes kombëtare Ismail Haradinaj, ku kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ka qenë një njëri i pathyeshëm në ideale e në bindje të veta.

"Jemi bashkuar sot të nderojmë në përvjetor të vdekjes bacën Ismail Haradinaj, një atdhetar i shquar shqiptar, një vazhdues i një trungu vërtet atdhetar që në luftërat për liri, për komb e për atdhe kanë qenë gjithherë të parët e të pathyeshëm. Fjala i pathyeshëm është një fjalë që mundesh me e thënë kohë pas kohe në raste të caktuara, ju siguroi nga mosha që e kam njohur, unë kam qenë fëmijë, por këtu ka bashkëluftëtarë. Ismail Haradinaj ka qenë i pathyeshëm, pra nëse mundemi t'ia atribuojmë dikujt pathyeshmërinë në bindje e në ideale të veta të lirisë e të kombit atëherë mendoj që të gjithë pajtohemi për atë që kushdo që ka pasur rastin ta njoh pajtojmë se ka qenë i pathyeshëm", tha kryeministri Haradinaj.

Homazhe tek varri i Luan Haradinaj ka bërë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj.

Me këtë rast, Limaj tha se Luan Haradinaj ka qenë bërthama e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Kemi ardhur për të nderuar dhe për të respektuar luftën e lavdishme të UÇK-së, heronjve të kombit. Luan Haradinaj ka qenë bërthama e UÇK-së, gjenerali i parë që ka motivuar me qindra e mijëra ushtarë të UÇK-së. Fatmirësisht nga ata pak gjeneral sa ka pasur Kosova në fillimet e saj janë sot me dhjetëra gjeneralë, të cilët kanë ndjekur rrugën e Luan Haradinaj. Lavdi dëshmorëve të kombit", tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, ka thënë se në luftën për liri familja Haradinaj ka dhënë shumë.

"Në këtë rrugëtimin tonë të vështirë deri te liria që sot e gëzojmë ka familje që fuqishëm e kanë lënë vulën në mendjen e kombit tonë. E tillë është familja e madhe Haradinaj, familje emblemë përgjatë historisë, familje që nga trungu i saj ka dhënë emra që nga lufta e rrethimi i Junikut, për të vazhduar deri tek brezi i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare bacë Ismail Haradinaj, që e kujtojmë sot në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta. Baca Ismail do të kujtohet gjithmonë për një qëndresë të hekurt, sakrificë familjare që u kthye në model për qindra e mijëra veprimtarë e luftëtarë lirie. Nga ky trung i familjes Haradinaj u shndërrua në model edhe brezi tjetër që i dhanë vulën lirisë, bërjes së shtetit tonë, përfaqësuar nga Luan Haradinaj, të cilin e kujtojmë sot në 22-vjetorin e rënies së tij heroike, Luanin e madh të UÇK-së, për të vazhduar me Shkëlzenin e Enverin të cilët i përkujtuam p ak ditë më parë", tha Ramosaj.

Kreu i Deçanit tha se këta emra janë pjesë e historisë së lavdishme të historisë së vendit, emra titanësh që për jetë do të mbesin model se si duhet atdheu.

Veprimtari Ismail Haradinaj është nderuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me medaljen Hero i Kosovës. Në 22-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, gjeneral major Luan Haradinaj janë bërë homazhe te shtatorja e tij në Deçan.