Arbëri

Djali i dëshmorit thotë se u detyrua të ikte nga Kosova pasi s’mori mbështetje nga shteti

Ibrahimi, Ilirjani dhe Merxhani, kanë ardhur për të vendosur lule te busti që mban emrin e babait të tyre, Njazi Rexhepi, i vrarë 20 vjet më parë në betejën e Koshares.

Ndonëse janë rritur me mall për të atin, thonë se ndihen krenarë me veprën e tij, raporton KTV.

Djali i tij, Ibrahimi, është detyruar që të ikë nga Kosova për shkak të kushteve ekonomike. Ai ka 6 vjet që jeton në Gjermani dhe thotë se është i zhgënjyer me punën e institucioneve të vendit.

Vështirësitë, problemet dhe padrejtësitë në Kosovë ndaj familjeve të dëshmorëve, sipas tij, e kanë detyruar të ndahet nga familja në moshën e rinisë.

Ndonëse thotë se nuk ka gëzuar asnjëherë përkujdesje të duhur nga shteti, ka një mesazh për udhëheqësit e vendit.

Me dashuri të madhe e me respekt për luftën e UÇK-së, po mban në duar flamurin për të cilin babai i tij ra heroikisht në betejën e Koshares.

Në përkujtim të 20-vjetorit të rënies së dëshmorit Njazi Rexhepi, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, pati shumë të pranishëm.

Vëllai i tij, Farushi, për të shprehur respekt për luftën dhe sakrificën e vëllait të tij dëshmor, në një monografi, ka përmbledhur të gjitha momentet historike.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe bashkëluftëtari i tij, tash ministër i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Ky i fundit, duke vlerësuar lart kontributin e dëshmorit Rexhepi, shpalosi kujtimet e fundit me të gjatë luftës në Kosovë.

Përpos Njazi Rexhepit, në betejën e Koshares, duke luftuar me forcat serbe, heroikisht ranë edhe 113 dëshmorë.