Arbëri

Ende s’është themeluar Qendra Post-Traumatike për veteranët e luftës, këta fajësojnë politikën

Përfundimi i luftës, për ushtarët, në një numër rastesh, nënkupton fillimin e një lufte të re.

Stresi posttraumatik apo PTSD, është një formë çrregullimi që prek numër të madh të tyre, raporton KTV.

Në ushtrinë amerikane, sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit për Çështje të Veteranëve, 11 deri në 20 % të ushtarëve që kishin shërbyer në Irak ose Afganistan, ishin diagnostikuar me PTSD.

Derisa Britania e Madhe, respektivisht Ministria e Mbrojtjes, për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor tek ish-ushtarët, që kishin shërbyer në Kosovë e gjithashtu në Irak, Afganistan vitin e kaluar kishte ndarë një buxhet prej 22 milionë funtesh.

Në Kosovë, themelimi i Qendrës së Stresit Posttraumatik për Veteranët e UÇK-së, ishte paraparë me Ligjin për Veteranë, i miratuar në vitin 2014.

Sipas nenit 23, pikës tre të këtij ligji, janë Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale përgjegjëse për themelimin e kësaj qendre.

Qeveria e ka futur në Planin Vjetor të punës nxjerrjen e akteve nënligjore për themelim të Qendrës,por deri tani, asnjëra prej ministrive nuk ka bërë asnjë hap përpara.

Nga MPMS, kanë thënë të mos kenë diçka konkrete për këtë çështje, ndërsa Ministria e Shëndetësisë, themelimin e një qendre të tillë, nuk e parasheh me Planin e Punës 2019.

Organizatat e dala nga lufta, së fundmi sërish i kanë kërkuar qeverisë themelimin e qendrës, që do të mund t’u ndihmonte veteranëve në gjendje të rënduar.

Lidhur me numrin e veteranëve të prekur nga çrregullimin i stresit posttraumatik nuk ka të dhëna zyrtare.

Rehabilitimi për kategoritë e dala nga lufta, nga ana e qeverisë, deri tani është mbështetur me miliona euro, që kanë shkuar për trajtim në banja të vendit dhe në bregdetin shqiptar.