Arbëri

KQZ-ja shpenzon mbi 22 mijë euro për katër ditë qëndrimi në Shqipëri [dokument]

Komisioni Qendror Zgjedhor për katër ditë udhëtimi zyrtar në Shqipëri do të shpenzojë 22 mijë e 572 euro, raporton Koha.net.

Në një dokument të siguruar nga Koha.net, mësohet se Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të martën ka marrë vendim për miratimin e pagesës së shpenzimeve të udhëtimit zyrtar në Shqipëri për 27 anëtarë të KQZ-së dhe Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ).

Image

Në dokument specifikohet se delegacioni i prirë nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, do të qëndrojë në Shqipëri prej 24 deri më 28 shkurt, transmeton Koha.net.

Ky delegacion prej 27 anëtarëve do të mbajë një takim pune në Shqipëri me qëllim të shqyrtimit të rregullave të brendshme të KQZ-së.

Në listën e udhëtimit zyrtar në Shqipëri figuron edhe emri i Florian Dushit, por ai më nuk është anëtar i KQZ-së. Në vend të tij është emëruar Sami Hamiti.

Ndërkaq, në tarifat e Qeverisë për udhëtime zyrtare jashtë vendit del se për Shqipëri zyrtarët nga Kosova marrin 209 euro në ditë. (Për detaje rreth tarifave për udhëtime zyrtare mund të shikoni në tabelën më poshtë).