Arbëri

Xhaferi në njërën anë të Kuvendit, VMRO në tjetrën

Pas të enjtes së kobshme, deputetët u kthyen në Kuvend të ndarë në dy taborë, shumica e re parlamentare që kërkoi Kabinetin e Kryetarit dhe VMRO-DPMNE-ja që për orë të tëra e uzurpoi atë.

Kryetari i ri i Kuvendit Talat Xhaferi ka dorëzuar kërkesë deri te sekretari i përgjithshëm Zharko Denkovski për të kërkuar mundësimin e hapësirave dhe përgatitjen e të gjithë procedurave administrative për fillimin e punës. Për shumicën e re, institucion nuk është Kabineti por është kryetari i sapo zgjedhur Talat Xhaferi, transmeton alsat-m.

Artan Grubi nga BDI, ka thënë se kryetari i ri i Parlamentit nënshkroi të gjitha udhëzimet administrative për shërbimet në Kuvend, për t’ia mundësuar punën e tij në Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit të cilat janë dërguar deri te sekretari i përgjithshëm, janë të arkivuar me numër të arkivit dhe të protokolluara në përputhje me rregulloren.

“Kemi marrë përgjigje nga sekretari i përgjithshëm, i cili kërkon që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të shpallet në gazetën zyrtare. Ne jemi të bindur se Talat Xhaferi është institucion në vete, nuk është zyra por personi që është zgjedhur”, tha ai.

Grubi tha se sapo të krijohen kushte për funksionimin normal të Kuvendit, Xhaferi me shkresë zyrtare do të kërkojë mandatin për formimin e Qeverisë nga presidenti George Ivanov.

Por VMRO-DPMNE-ja me në krye Nikolla Gruevskin dhe Trajko Veljanovskin bllokoi për orë të tëra Kabinetin e kryetarit. Ata njoftuan se do të dorëzojnë padi penale për deputetët e LSDM-së Ferid Muhiq dhe Goran Misovski të cilët ditën e zgjedhjes së Xhaferit lexuan shkresën e ritualit zyrtar. Sipas tyre, protestuesit dënuan dhunën politike që ushtroj LSDM-ja ndaj Rregullores dhe ligjeve.