Arbëri

Si po i bllokon gjykata Doganat dhe ATK-në

Për disa vjet, një numër i lëndëve kontestuese mes bizneseve dhe dy organizatave që e mbushin buxhetin me para, Dogana dhe ATK-ja, kanë mbetur të bllokuara nëpër gjykata, raporton KTV.

Një bord i përbërë nga zyrtarë të ministrisë së financave, ATK-së, doganave dhe shoqatave të biznesit, u shua duke shkaktuar mjaft probleme për të gjitha palët e përfshira në kontest, pasi zgjidhja e problemeve në gjykata veç çka e komplikoi më shumë situatën.

Duke qenë se të njëjtat janë të mbushura me lëndë, ato shpeshherë ua kanë kthyer mbrapsht lëndët për rishqyrtim. Dhe kjo ka shtyrë edhe njëherë shoqatat e biznesit të kërkojnë urgjentisht kthimin e bordit për të mos humbur kohë duke pritur zgjidhjen e lëndëve nga gjykatat.

Ministri Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se ligji për këtë çështje tashmë ndodhet në zyrën e kryeministrit, duke pritur miratimin e saj në një nga mbledhjet e qeverisë. Hoti ka sqaruar edhe disa dilema që kishte zyra e BE-së në Kosovë në lidhje me funksionimin e këtij bordi.

Zyrtarë të Doganave të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë marrë masa për të eliminuar sa më shumë mundësinë e dërgimit të kontesteve me bizneset nëpër gjykata. Ndërkaq, ATK-ja përmes një përgjigje elektronike ka bërë të ditur se nga janari deri në prill të këtij viti nga Gjykata Themelore janë kthyer 6 raste për rishqyrtim, ndërsa nga ajo e Apelit, dy raste.

Mirëpo, ATK-ja nuk ka qenë në gjendje të japë detaje se si ka qenë situata në vitin e kaluar.