Arbëri

Haradinaj për protestën e VV-së: Presioni mbi drejtësinë, precedent që nuk i kontribuon vendosjes së saj

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me protestën e së premtes të paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se presioni i rrugës mbi drejtësinë është precedent që nuk i kontribuon vendosjes së saj.

“Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt i respektueshëm parlamentar, e ftoj të shterojë të gjitha rrugët institucionale, të përdorë së pari interpelancat parlamentare, tryezat politike dhe debatet me ekspertët për sistemin e drejtësisë”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka thënë se Kosova është një shoqëri demokratike ku liria e shprehjes dhe protestës është një e drejtë e garantuar, transmeton Koha.net.

Ndërkaq protestën kundër korrupsionit, me kërkesën për dorëheqjen e bartësve të pozitave të larta në sistemin e drejtësisë, si pushtet i ndarë, ai e ka quajtur të drejtë qytetare dhe politike.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë paqësore pranë objektit të Prokurorisë së Shtetit më 26 prill.