Arbëri

Makolli: Vendimi për kthimin e kosovarëve nga Siria ishte i Qeverisë së Kosovës

Koordinatori Nacional Kundër Ekstremizmit dhe Terrorizmit, Fatos Makolli, ka thënë se kthimi i 110 shtetasve kosovarë nga Siria, është rezultat i punës disa mujore të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka deklaruar se vendimmarrja për kthimin e tyre ishte e Qeverisë, mirëpo e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Makollit, institucionet me kohë kanë paraparë që personat kosovarë që gjenden në zonën e rrezikut mund të kthehen në Kosovë, dhe që nga 2017 kanë draftuar një plan emergjent në rast të kthimit të tyre.

“Në tetor është themeluar grupi vendimmarrës në kuadër të Qeverisë, grup i udhëhequr nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe që nga atëherë ka pasur analiza. Institucionet e Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar terrorizmin dhe ekstremizmin. Institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës dhe që nga kthimi i tyre situata është nën kontroll”, ka thënë ai. “I gjithë procesi është kryer nga kosovarët, ka qenë fillimisht grupi i punës ndër institucional i cili ka marrë vendime, dhe të gjitha analizat dhe vlerësimet janë bërë nga institucionet, ndërkaq partneret e kanë mbështetur”.

Ai në “Express Intervista” të KTV-së ka thënë se me këtë proces Kosova ka dalë dy hapa para nga vendet e Ballkanit, sepse çfarëdo lloj rreziku është i kontrolluar.

Ndërkaq lidhur me integrimin e të kthyerve ai ka thënë se institucionet e Kosovës kanë punuar me muaj për një plan i cili do t’ua mundësonte integrimin e tyre.

“Divizioni për Parandalim dhe Riintegrim ka muaj që ka përgatiti planin për integrim ku janë përfshirë të gjitha institucionet e vendit ku përfshihen ndihma psikosociale, arsimore, kulturore etj. Ky plan është dizajnuar për një periudhë një-vjeçare me mundësi të vazhdimit. Në mesin e të kthyerve janë nëntë fëmijë jetim që prindërit u janë vrarë në zonat e konfliktit, këta fëmijë janë lejuar që të shkojnë tek familjarët e ngushtë dhe punëtorët social janë duke u marrë me ta”, ka thënë ai.

Sipas tij, programi i njëjtë mund të vazhdoj edhe më tutje, varësisht prej nevojave.

Makolli ndër të tjera ka njoftuar se sipas informacioneve të Qeverisë së Kosovës në zonat e konfliktit janë 40 deri 49 fëmijë si dhe 8 gra.

Mirëpo sipas tij, ky numër mund të ndryshoj pasi që javën fundit kanë ndodhur luftime të ashpra.

“Pjesa më e madhe e familjarëve ndodhen në një zonë të blinduar nga ushtria turke”, ka thënë ai.