Arbëri

Sindikata e Pavarur e RTK-së i kundërshton procedurat për zgjedhjen e drejtorit, i drejtohet Avokatit të Popullit

Descriptive Text

Sindikata e Pavarur e RTK-së i ka drejtuar letër Avokatit të Popullit, përmes të cilës kanë shprehur pakënaqësitë lidhur me procedurat të cilat i ka ndjekur Bordi i RTK-së në procesin e përzgjedhjes së drejtorit gjeneral të Transmetuesit Publik.

Sindikata konsideron se vendimi është marrë në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, konkretisht nenin 3 ku thuhet se: Drejtori i Përgjithshëm i RTK-se emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit.

Numri i përgjithshëm i anëtarëve të Bordit sipas këtij ligji është 11, dhe votat e nevojshme për zgjedhjen e drejtorit gjeneral duhet të jenë së paku shtatë. Ndërsa Bordi i drejtorëve të RTK-së me vetëm gjashtë vota ka bërë zgjedhjen e drejtorit gjeneral.

“SPRTK-së, kërkon nga Institucioni që ju e udhëhiqni që të ngritni padi për hapjen e Konfliktit Administrativ, në Gjykatën Themelore në Prishtinë-departamenti për çështje administrative, përkitazi me ligjshmërinë e Vendimit,të datës 24.04.2019, të Bordit të RTK-së, për zgjedhjen e drejtorit gjeneral të RTK-së”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas njoftimit, Sindikata e Pavarur kërkesën e saj e bazon në nenin 10 pika 2 të ligjit Nr. 03/L-202 për konflikt administrativ ku thuhet se të drejtën për të nisur konfliktin administrativ e ka Avokati i Popullit, shoqatat dhe organizatat e tjera, të cilat veprojnë në mbrojtje të interesave publike.

“Përfshirja e Institucionit Tuaj në këtë proces kaq të rëndësishëm për Transmetuesin Publik, roli i të cilit është i pazëvendësueshëm për demokracinë në vend, është mëse e domosdoshme”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar Avokatit të Popullit.