Arbëri

Presidenti Thaçi përshëndet tërheqjen e neneve kontestuese të Kodit Penal

Descriptive Text

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes zyrës për informim ka përshëndetur largimin e neneve të propozuara 134/C dhe 134/D nga plotësim-ndryshimi i Kodit Penal, të cilat ndërlidhen me lirinë e shprehjes.

Në përgjigjen e zyrës së informimit të Presidencës thuhet se qysh në fillim të mandatit të tij, presidenti Thaçi kishte kërkuar rishikimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale me qëllim eliminimin e zbrazëtive ligjore.

“Presidenti qysh në fillim ka kërkuar që t’i kushtohet vëmendje e veçantë ndryshimit të dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale që kanë të bëjnë me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në përgjigjen për KosovaPress.

Sipas Zyrës së Presidentit, motivi i ndryshimit të këtyre kodeve ka qenë ekskluzivisht forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit.

“Presidenti mirëpret debatin konstruktiv për këto tema dhe përshëndet vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për tërheqjen e neneve kontestuese. Qysh në fillim presidenti ka kërkuar që të punohet drejt fuqizimit të këtyre kodeve, të cilat respektojnë të drejtat e njeriut dhe i përshtaten sistemit tonë gjyqësor duke adresuar specifikat e vendit tonë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Në fillim të mandatit të tij si President i Republikës së Kosovës, Thaçi kishte ngritur nevojën për plotësim-ndryshimit e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.